Në ditën e parë të punimeve për ndërtimin e dy tuneleve nëntokësore, që shërbejnë për largimin e ujit në rast përmbytjeje në segmentin e autostradës Tiranë-Qafë Kashar, qarkullimi i mjeteve po bëhet në një korsi në pjesën ku po ndërhyhet.

Me shtimin e volumit të punimeve, trafiku për këtë segment do të devijohet në rrugët dytësore të autostradës, për të dyja drejtimet.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërhyrja bëhet në kuadër të projektit të mirëmbajtjes së rrugëve, që financohet nga Banka Botërore. Punimet do të zgjasin dy javë dhe, së bashku me Policinë Rrugore, ARRSH-ja ka hartuar një plan operacional të ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe për të garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

Zyrtarë të Policisë Rrugore thanë për Top Channel se, në varësi të grafikut të punimeve që do të dërgojë firma ndërtuese, do të bëhet edhe plani i qarkullimit të mjeteve.

Gjithsesi, drejtuesve të mjeteve u kërkohet që të shfrytëzojnë rrugë alternative për të shmangur segmentin Qafë Kashar-Tiranë dhe anasjelltas, gjatë kësaj periudhe.

Mjetet me drejtim veriun u kërkohet kalimi në rrugën Kthesa e Kamzës-Fushë Krujë, ndërsa mjeteve me drejtim jugun, në rrugën e Ndroqit dhe Tiranë-Elbasan. Pjesa ku po ndërhyhet është përmbytur disa herë vitet e fundit, e për këtë shkak autostrada Tiranë-Durrës, aksi rrugor më i rëndësishëm në vend, ka mbetur i bllokuar gjatë.

Në vitin 2014, në këtë pjesë u bënë disa punime rehabilituese dhe estetike, por atëherë nuk u bë asnjë ndërhyrje për ndërtmin e tuneleve nëntokësore për largimin e ujit.

Top Channel