Termocentrali i Vlorës, investimi që u kushtoi taksapaguesve 130 milionë dollarë, por që nuk u vu asnjëherë në punë, do të jepet me koncesion te privatët. Por përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka reaguar deputeti i PD, Agron Shehaj, sipas të cilit Rama ka përjashtuar kompanitë e huaja nga tenderi për koncension.

Ministria e Energjisë ka hapur në datën 31 dhjetor zyrtarisht procedurat për të dhënë me koncesion për 20 vite termocentralin, i cili ka një fuqi të instaluar prej 97 megavatësh. Sipas dokumenteve të shpallura në faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike, privati do të investojë 58 milionë euro për të riparuar defektet e termocentralit, si dhe për të ndryshuar sistemin e prodhimit të energjisë, nga naftë që është aktualisht, në gaz për të ulur kostot.

Por sipas deputetit të PD, Agron Shehaj, Rama ka përjashtuar kompanite e huaja nga ky proces.

Statusi i deputetit të PD, Agron Shehaj
PER KONCESIONIN E TEC-IT TE VLORËS RAMA PRAKTIKISHT KA PËRJASHTUAR KOMPANITË E HUAJA

Në orët e fundit të vitit 2018, edhe pse i larguar nga ministër, Damian Gjiknuri ka firmosur hapjen e procedurave për dhënien me koncesion të TEC-it të Vlorës. Me zero transparence, Rama dhe Gjiknuri kanë vendosur që TEC-in e Vlorës, i cili ka kushtuar deri tani mbi 120 milionë euro me paratë e shqiptarëve, për t’u ndërtuar e mirëmbajtur, t’ja japin në pronësi për 20 vjet një privati.

Detajet e këtoj koncensioni do të mësohen në ditët e ardhshme, por ajo që dihet sot është se qeveria kërkon që më datën 15 janar, të gjithë të interesuarit duhet të marrin pjesë në një vizitë në TEC në Vlorë, e cila është e detyrueshme për të marrë pjesë në tender. Se cila kompani e huaj mund të informohet, vlerësojë dhe vendosë brenda dy javësh në periudhë festash të dërgojë përfaqësues në Vlorë të Shqipërisë, e dinë vetëm Rama dhe Gjiknuri.

Është një histori që përsëritet: pasuritë e vendit, pronat publike dhe paratë publike u jepen klientëve të lidhur me qeverinë, gjoja me “koncesion”, duke rritur me disa fish koston e investimit. Në 15 janar do marrim vesh se cili nga klientët e Edi Ramës do ta marrë këtë dhuratë dhe do të ndajë paratë me “bamirësin”.

Top Channel