Një vit i ri ka nisur. Për çudi, kafenetë e shumta të kryeqytetit janë bosh. Qepenat e dyqaneve kanë filluar të hapen. Tirana po zgjohet nga festat, por jo me zhurmë. Rrugët e Tiranës janë të qeta, lëvizja e automjeteve këtë fillim vit nuk shoqërohet me zhurmën e borive.
Të rriturit duket se janë kthyer në punë ditën e tretë të vitit të ri, megjithatë atmosfera festive vazhdon për fëmijët”.
“Jam shumë e kënaqur se imagjinoj për babagjyshin. Viti i ri është shumë i bukur, unë argëtohem shumë. Vazhdon ende atmosfera, po jo dhe për shumë se fillon puna e shkolla për pak. Gëzuar të gjithëve”, shprehen disa prej fëmijëve.
Të palodhur e gjen ndërrimi i viteve ‘gjyshin e petullave’. Për të, kënaqësia ishte në krye të detyrës.
“Në punë edhe 31, 1 dhe 2 punuam shumë mirë. Ndiej lumturi në punë sepse edhe ju shërbej të tjerëve dhe fitoj diçka për vete”, shprehet ai.
Ndryshe nga vitet e kaluara, frutat e thata nuk kanë munguar në tryezat e shqiptarëve. Si rrjedhojë, tregtarët kanë mbetur të kënaqur.
“Për këtë vit kemi pasur shitje, në krahasim me një vit më parë ishte më mirë. për mua ka shkuar shumë mirë, ka pasur shitje më mirë sesa vjet”, shprehen tregtarët.
Megjithatë jo për të gjithë, 2019 ka nisur mirë.
“Dobët shumë se të tërë janë me aparate, vetëm me të çastit kam punë… por ka rënie kjo punë”, shprehet një fotograf.
“Unë kam qenë në datë 1 paradite, dhe ishte sheshi për ibret. Normal, që pastrueset do lodhen”, thotë një person tjetër.
E në Tiranën tonë të vogël gjen dhe nga ata që nuk numërojnë vitet.
“s’ka vit të ri. Kam dhe 3 kalamaj e asgjë skam bërë!”, thotë një lypës.
Top Channel