Hetimet për atentatin me tre të vrarë në Elbasan po kryhen nga specialistët e krimeve të rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të policisë së Shtetit dhe janë shtrirë në disa pista, ndër më kryesoret është ajo e trafikut të drogës.
Që pas kryerjes së krimit të rënda policia ka vepruar në të gjitha rrugët dhe lagjet, nisur nga dyshimet për autorin apo autorët e mundshëm të krimit. Gjatë kontrolleve të ushtruara janë shoqëruar që në momentin e parë 15 persona.
Tre personat që mbetën të vrarë mbrëmjen e së shtunës në Elbasan kanë mbërritur në Shqipëri vetëm pak ditë më parë. Endrit Alibej, një person me precedentë të mëparshëm penalë, që njihej edhe me mbiemrin Dylgjeri jetonte në Holandë, xhaxhai i tij Arben Dygjeri ishte emigrant në Angli dhe rezulton pa precedentë, ndërsa viktima tjetër shtetasi turk Erdal Durunay dyshohet bashkëpunëtor i Endritit në krimin e trafikut ndërkombëtar të drogës.
Shënjestra e atentatit ka qenë Endrit Alibej, pasi bashkë me të vëllanë Andrea Alibej ishin drejtuesit e një grupi kriminal të goditur në 2013-ën në Itali, ku u arrestuan 34 persona, mes tyre 12 shqiptarë, ndërsa u sekuestrua kokainë me vlerë 10 mln euro.
Sipas raportimeve të gazetarëve, që u referohen burimeve të policisë, viktimat kishin qenë për të darkuar në një fshat të Peqinit dhe më pas janë nisur drejt Elbasanit, teksa u është bërë pritë në hyrje të qytetit, pikërisht në zonën e metalurgjisë.
Edhe pse hetimet nuk kanë nxjerrë deri më tani asnjë të dhënë dhe vetë policia është treguar maksimalisht e kujdesshme për të mos dhënë detaje, burimet thotë se autorët mendohet se janë vrasës me pagesë, nisur nga dinamika e ngjarjes.
Nuk dihet sa persona kanë marrë pjesë në vrasje, sa automjete dhe sa armë janë përdorur, por shkak për përplasjen të paktën deri më tani si pistë e parë është ajo e larjes së hesapeve për pazaret e drogës.
Top Channel