Burgjet greke janë kthyer në një tmerr të vërtetë për shqiptarët, pasi një tjetër jetë e humbur bashkëkombësi është shënuar këtë javë në këto institucione të vuajtjes së dënimit. Mësohet se 33-vjeçari nga Vlora, Gëzim Shekaj ka ndërruar jetë në qeli, teksa mbahej në burg përtej afatit të përcaktuar nga gjykata në Greqi.

Ngjarja ka ndodhur të mërkurën në burgun famëkeq “Koridalo” në Athinë, por ende janë të paqarta rrethanat e vdekjes së të riut shqiptar, të cilin nuk e kishin nxjerrë nga qelia edhe pse prej 20 ditësh kishte përfunduar kryerjen e dënimit.

Teksa mediat greke raportojnë se ngjarja ka ndodhur në spitalin e burgut, një mik i 33-vjeçarit hedh hije dyshimi për vdekjen e Gëzimit, pasi shprehet se përgjatë 20 ditëve që ai është mbajtur përtej dënimit në burg, i janë injektuar gjilpëra vazhdimisht.

Sipas mikut të viktimës, shqiptarit Fisnik Hasi, injektimi i 4 gjilpërave në trupin e Gëzim Shekajt është bërë me qëllim për ta çuar 33-vjeçarin drejt vdekjes.

“Shoku im i burgut, Gëzim Shekaj është gjetur i varur. Mjekët grekë i kanë injektuar 4 gjilpëra. Ai është keqtrajtuar në burg. Grekët nuk donin që ai të dilte i gjallë”, është shprehur Hasi, që ka qenë në të njëjtën qeli me 33-vjeçarin nga Vlora.

Miku i Gëzim Shekajt akuzon dhe Policinë se po përpiqet që të mbajë të fshehtë ngjarjen, ndërsa nga Ambasada shqiptare në Athinë s’ka asnjë informacion për vdekjen e 33-vjeçarit në qeli.

Gjatë viteve të fundit ka pasur disa raste, ku të burgosurit shqiptarë në Greqi kanë humbur jetën si pasojë e keqtrajtimit dhe dhunës në qeli, ku rasti më i bujshëm është ai i Ilia Karelit (Kudret Kume).

Ndërkohë, gjatë 2 muajve të fundit, pikërisht pas vrasjes së ekstremistit grek Konstadinos Kaçifas në Bularat të Gjirokastrës, ndaj emigrantëve shqiptarë në Greqi ka pasur disa raste dhune dhe sulme që kanë sjellë në një bilanc të frikshëm, me 9 persona të vrarë dhe 4 vetëvrasje, këto të fundit kryesisht në burg.

Top Channel