Kur mund të fillojë emërimi i prokurorëve për në SPAK? “Kjo është pyetja në mendjen e të gjithëve”, përgjigjet Gent Ibrahimi.

Tashmë, pyetja për SPAK-un dhe për prokurorin e përgjithshëm është pjesë e përditshmërisë së Gent Ibrahimit, por edhe anëtarëve të tjerë të KLP-së. Megjithë parashikimet, nuk ka ende një datë fikse se kur do të lindë SPAK-u, përsa kohë kriteret për në Prokurorinë e Posaçme janë të forta. Si fillim, kushdo që kërkon të kandidojë për SPAK-un, duhet të ketë kaluar vetting-un.

“Vonesat që do të vijnë, nuk do të vijnë nga ne. Brenda këtij viti ne do të bëjmë shpalljen për paraqitje të interesit për kandidatët. Pasi bëjmë këtë, ne mund të vijojmë menjëherë me emërimin e këtyre personave për në SPAK, me kushtin që kandidatët të jenë të vettuar, pra që kandidatët ta kenë kaluar procesin e vetting-ut. Kështu që unë imagjinoj që SPAK-U do të krijohet me shkallë, me disa kandidatë që kanë kaluar vetting-un. Ata do të emërohen menjëherë, mund të përfundojë brenda një muaji”, shpjegon Ibrahimi.

Pas shqetësimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit që i ka shkruar Kuvendit për të gjetur një zgjidhje pas shfuqizimit të disa neneve mbi mënyrën e emërimit të magjistratëve, që rrezikon mos ngritjen e SPAK-ut nga KLP-ja, Ibrahimi shpjegon: “E kam dëgjuar interpretimin e tyre. Është një shqetësim legjitim; është e saktë që Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar disa nene të ligjit për organet e qeverisjes gjyqësore, njëri nga shfuqizimet është disi më problematik. Megjithatë, kjo situatë, sipas interpretimit të KLP-SË, nuk e pamundëson KLP-NË që të kryejë detyrat e saj, midis të cilave edhe emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm apo emërimin e prokurorit të SPAK-UT. Sepse këshilli zbaton drejtpërdrejt Kushtetutën dhe thjesht vepron në seancë plenare. Pra, çdo vendim që marrim ne e marrim në seancë plenare. Kërkesat e tyre do të trajtohen si kërkesa për promovim, pra në këtë rast ne thjesht zbatojmë ligjin standard që është ligji për statusin e magjistratit. Pengesa e vetme është që së pari kandatët duhet të kalojnë në vetting, ne presim që do ketë nga ata kandidatë që e kanë kaluar vetting-un, me ata do vijohet menjëherë në rast se plotësojnë kushtet e ligjit tjetër, ndërsa ata që nuk janë kontrolluar ende ne do duhet të presim duke shpresuar tek një lloj përparësie që vetting-u duhet t’u japë këtyre kandiatëve”.

Nga ana tjetër, nga këshilli varet edhe hapja e garës dhe emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm, për të cilin KLP-ja ka 3 muaj kohë për të miratuar rregulloren dhe metodologjinë se si do të renditen pretendentët.

“Pa dashur të them një datë preçize, se nuk dua të mbetem rob i saj, thashë se kemi 3 muaj afat nga ligji që fillon në 19 dhjetor, do përpiqemi të shfrytëzojmë sa më pak nga kjo kohë. Në momentin që ne bëjmë shpalljen le të bëjmë një ushtrim hipotetik, në rast se ne jemi në gjendje ta bëjmë shpalljen në mes të janarit apo në mes të shkurtit. Nga ai moment kandidatët kanë 30 ditë kohë që të paraqesin platformat e tyre, pasi ne i marrim aplikimet, kemi 45 ditë kohë në dispozicion për të bërë verifikimet e nevojshme me DSIK, pastërti figure dhe gjithçka, pra është diçka e ngjashme me vetting-un”, thotë Ibrahimi.

Top Channel