Protesta e emigrantëve, Meta i fton në Presidencë. Vasili: Paratë e tyre i kanë jetike, por protestën s’ua lejojnë

27/12/2018 14:56

Të organizuar në rrjetet sociale një grup emigrantësh kishin menduar që kthimin në Shqipëri për festat e fundvitit ta shfrytëzonin edhe për zhvillimin e një proteste para kryeministrisë. Sipas procedurave për zhvillimin e tubimit, emigrantët i janë drejtuar për leje policisë së Tiranës por në kthim përgjigje, blutë e kryeqytetit kanë refuzuar që protesta të zhvillohet.

Në shkresën refuzuese theksohet se protesta do sjellë pengimin e qarkullimit rrugor ndërkohë që paralajmërohet se në rast se tubimi mbahet pa leje përgjegjësit do përgjigjen edhe penalisht.

I pyetur për ktë çështje nga Korca presidenti Ilir Meta dha ktë përgjigje: “Nuk e besoj të jetë e vërtetë, por nëse është i ftoj emigrantët të vijnë ta bëjnë protestën në oborrin e presidencës”.

Pas Kreut të Shtetit, ishte Lëvizja Socialiste për Integrim që shigjetoi Ministrinë e Diasporës.

“Kemi parë show me takime me diasporën, kemi edhe një ministri, paratë e emigrantëve i kanë jetike, por protestën s’ua lejojnë se u prishet terezia”, deklaron Vasili.

Kreu i grupit parlamentar në Partinë Socialiste Taulant Balla shpjegoi se problemi i kërkesës së diasporës është se nuk dihet kush e organizon dhe ligji për tubimet kërkon që të identifikohen organizatorët.

Opozitës së shqetësuar për të drejtat e emigrantëve ai iu përgjigj duke i ftuar të votojnë reformën zgjedhore që i hap rrugë të drejtës së votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Emigrantët kishin parashikuar të protestonin për tre ditë më radhë nga 4 orë, në datat 28, 29 dhe 30 dhjetor.

Top Channel