Partia Demokratike sulmoi socialistin Safet Gjici se ka përfituar 1.5 milionë dollarë nga shefi i tij politik Edi Rama, për një projekt të pakontraktuar nga qeveria.

“Me aktin e fshehtë normativ, Edi Rama i ka dhënë Safet Gjicit 1.5 milionë dollarë për një punë, për të cilën ai nuk ka lidhur kontratë me qeverinë, por me Universitetin e Durrësit. Nëpërmjet kompanisë “Kevin Construction”, Safet Gjici ka lidhur kontratë prej 5 milionë dollarë me këtë universitet, i cili, sipas dokumentave të tenderit, duhej të financohej plotësisht nga të ardhurat e vetë universitetit”, deklaroi Dorian Teliti, këshilltar ekonomik i Partisë Demokratike.

Demokratët akuzojnë Edi Ramën se në 5 vite i ka dhënë kandidatit të tij të përhershëm për Bashkinë e Kukësit 30 milionë dollarë tendera, shumicën e të cilëve pa garë apo me garë fiktive: “30 milionë dollarë janë të mjaftueshme për të nisur ngritjen e një infrastrukture moderne, me auditorë, biblioteka dhe pajisje laboratorike për të gjithë universitetet e vendit”.

Partia Demokratike kërkon që qeveria të bëjë transparencë se përse mes dhjetra projekteve Edi Rama ka përzgjedhur të financojë kompaninë e Safet Gjicit.

Top Channel