Presidenti Ilir Meta ishte sot në Qendrën Sinodike të Katedrales Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, ku u prit nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas Janullatos dhe nga klerikët të lartë të Bashkësisë Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Presidenti Meta, i cili shoqërohej në këtë vizitë edhe nga tre fëmijët e tij, u përcolli urimet më të mira besimtarëve të krishterë për Festën e shenjtë të Krishtlindjeve:
“Gëzuar të gjithëve në këtë ditë të shënuar të lindjes së Krishtit! Gëzuar të gjithë besimtarëve të krishterë, por njëkohësisht edhe të gjithë shqiptarëve! Le të sjellë kjo ditë më shumë paqe, gëzime dhe lumturi për të gjithë.
Sot në këtë ditë le të mendojmë më shumë për të gjithë ata që janë në vështirësi. Të mos i lëmë të vetëm dhe t’u japim dorën për një rrugë të gjatë të përbashkët në mënyrë që shoqëria jonë të jetë gjithnjë e më e plotë, të jetë gjithmonë edhe më shpresëdhënëse, sidomos për të rinjtë dhe për të gjithë fëmijët e Shqipërisë që meritojnë një të ardhme si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre”, – tha Presidenti Meta, duke shprehur edhe një urim për vitin e ardhshëm, ndërsa vlerësoi edhe punën e jashtëzakonshme që bëjnë komunitete fetare për shoqërinë shqiptare.
“Kjo është një ditë që në fton të gjithëve të shtojmë urtësinë edhe mençurinë, që Krishtlindjet e tjera të na gjejnë jo vetëm më të gëzuar e të bashkuar, por edhe të na gjejnë me negociata të çelura për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Gjithashtu, dua të vlerësoj punën e jashtëzakonshme që bëjnë komunitetet e besimit në vendin tonë, jo vetëm për besimin te Zoti, jo vetëm për besimin tek e drejta, tek e mira, te paqja, por mbi të gjitha atë punë të shkëlqyer dhe atë shembull që japin komunitetet tonë duke e rritur çdo ditë harmoninë ndërfetare në vendin tonë dhe kjo harmoni duhet të reflektojë kudo e në radhë të parë duhet të reflektojë në politikë”, – tha Presidenti i Republikës.
Gjithashtu, Presidenti Meta vizitoi Bashkësinë Fetare “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” për t’u uruar personalisht festën e shenjtë të Krishtlindjeve Kryetarit të VUSH-it, Pastor Ylli H. Doçi si dhe drejtuesve e besimtarëve ungjillor
Top Channel