Policia Kufitare, me rastin e festave të fundvitit është angazhuar për përballimin e fluksit të udhëtarëve, rritjen e cilësisë së shërbimit, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Drejtoria për Kufirin dhe Migracionin ka hartuar një plan masash të detajuar për muajin dhjetor, me qëllim përballimin e fluksit në hyrje-dalje në Aeroportin e Rinasit, në porte, por edhe në të gjitha pikat e kalimit kufitar.

Masat janë marrë edhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet e tjera ligjzbatuese. Ditët e fundit, rritja e fluksit të hyrje-daljeve në pikat kufitare për shkak të festave, ka bërë që Policia të marrë masa shtesë, duke përfshirë në plan edhe oficerët e Antiterrorit.

Masat e kontrollit do të shtohen edhe në kufirin e gjelbër për persona që konsiderohen me risk ose me prirje ekstremiste radikale. Policia e Shtetit ka rritur bashkëpunimin me Prokurorinë, Shërbimin Informativ Shtetëror dhe agjencitë ligjzbatuese të disa vendeve partnere.

Gjithashtu po punohet me shkëmbim informacioni me qëllim parandalimin e ndonjë ngjarjeje kriminale nga personat që do të hyjnë gjatë kësaj periudhe në territorin shqiptar. Policia ka planifikuar një plan masash për mbajtjen në kontroll të situatës së sigurisë, në veçanti në sheshe publike, qendra tregtare, lokale dhe restorante apo sheshe ku do të organizohen aktivitete festive, si dhe në objektet e rëndësisë së veçantë e ambasada.

Policia fton qytetarët që përdorin Aeroportin e Rinasit, portet dhe pikat e tjera të kalimit kufitar për të udhëtuar jashtë vendit apo për të ardhur në Shqipëri, që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, në aplikacionin “Komisariati Digjital”.

Gjithashtu edhe në numrin 0800 90 90 mund të denoncojnë çdo parregullsi, çdo vonesë si dhe çdo rast të abuzimit me detyrën nga punonjësit e Policisë, duke iu garantuar një reagim të shpejtë profesional e të paanshëm.

Top Channel