Meshat e Krishtlindjes, besimtarët ortodoksë në gjithë Shqipërinë festojnë

25/12/2018 14:33

Në katedralen ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, mëngjesin e krishtlindjeve është mbajtur mesha e shenjtë e kësaj dite të rëndësishme të kalendarit të krishterë.
Lindja e krishtit është një ditë gëzimi për besimtarët që presin shpëtimtarin.

Besimtarët e krishterë ortodoksë janë mbledhur për të dëgjuar edhe mesazhin e kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas. Mesazhi i tij në shqip është për më shumë besim, largim nga të këqijat që sjell lakmia, korrupsionin shumë formësh.

Mesha vijoi me ndezjen e qirinjve në këtë ditë të shënuar e më pas të krishterët janë mbledhur në shtëpitë e tyre për drekën e krishtlindjes.

Korça – Në katedralen “Ringjallja e Krishtit” në Korçë, meshën e udhëhoqi mitropoliti i Korçës Imzot Johani. Mesazhi i tij për besimtarët dhe shoqërinë shqiptare ishte për më shumë mirësjellje.

Më tej dita ka vazhduar edhe me vizitat dhe urimet në selinë e Mitropolisë së Shenjtë.

Gjirokastër – Në të gjitha kishat e Jugut të vendit janë zhvilluar dhjetëra ceremoni fetare. Lindja e krishtit u kremtua në Gjirokastër, Përmet, Sarandë dhe Delvinë.
Nga kisha e Hyjlindëses në Gjirokastër ku qindra besimtarë kanë pritur lindjen e Krishtit at Theodhori uroi për më shumë paqe dashuri. Pjesë e festimeve u bënë edhe disa qindra emigrantë që kanë mbëritur për të festuar Krishtlindjet në vendlindje.

Durrës – Në Durrës mesha solemne u mbajt dhe në kishën ortodokse të Shën Astit e Shën Pavlit ku besimtarët u lutën për më shumë shpresë, mirëqënie ekonomike, paqe dhe gëzim, qetësi dhe dashuri, në një atmosferë festive.

Top Channel