Mesha e Krishtlindjes; Katedralja e Shën Palit, katolikët festojnë lindjen e Krishtit

25/12/2018 10:36

Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si i biri i Perëndisë.

Ai zbriti në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit. Në katedralen e Shën Palit në Tiranë dhjetëra besimtarë u mblodhën për të festuar lindjen e fëmijës hyjnor.

Pas darkës familjarë, besimtarët katolikë me qirinj në duar i janë drejtuar Katedrales së Shën Palit, ku kanë pritur mes lutjes mbërritjen mesnatës që shënon 25 dhjetorin e shenjtë për ta, lindjen e Birit të Zotit. Mesha tradicionale e Krishtlindjeve u mbajt nga Imzot George Frendo.

Gjatë fjalës së tij, ai iu referuar ngjarjeve të fundit politike ku bëri apel për dialog dhe jo dhunë. Ai u shpreh se problemi më i madh i Shqipërisë sot është largimi i të rinjve, për këtë arsye ai thërret politikën që të zgjidhë problemin e papunësisë.

Frendo këshilloi të rinjtë që të kërkojnë më shumë për të krijuar një Shqipëri më të mirë, ndërsa shtoi se shqiptarët kanë vuajtur shumë dhe tani meritojnë një jetë më të mirë. Krishtlindja është festa në të cilën të krishterët urojnë më shumë se kurrë paqe e dashuri në botë.

Katedralaja e Shën Palit u mbush nga besimtarët katolikë, për këtë arsye disa prej tyre u detyruan të dëgjonin Meshën jashtë dyerve të saj.

Top Channel