Liverpooli po zhvillon një sezon tejet pozitiv në kampionatin anglez, pasi kryeson me meritë renditjen, duke grumbulluar 48 pikë në 18 ndeshje, 4 më tepër se Manchester City ndjekës dhe mbi të gjitha, pa e provuar ende shijen e humbjes.
Gjithashtu “the reds” janë kualifikuar në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve, ku do të përballen me Bayernin e Mynihut, por pavarësisht të gjithave, Klopp pranon se mirëpret ndonjë afrim në merkaton e janarit.
“Gjatë janarit ne do të lëmë derën hapur dhe shpresojmë që të ndodhë ndonjë gjë. Shpresojmë të kemi ndonjë mundësi të mirë për t’u përforcuar, pasi në vitin e ardhshëm na pret një kalendar shumë i ngjeshur, me ndeshje vërtetë torturuese”, u shpreh trajneri gjerman.
Jurgen Klopp duket se shpreson që të afrojë ndonjë lojtar në repartin e mbrojtjes, ku Alexander-Arnold, Joel Matip dhe Joe Gomez janë të dëmtuar, ndërsa Dejan Lovren sapo është rikthyer në fushën e lojës.
Gjatë kësaj faze të parë të sezonit, shpesh Klopp ka kthyer James Milnerin të luajë në repartin e prapavijës, por duke qenë se klubi pretendon triumfin në disa kompeticione, atëherë është e nevojshme që të ketë më shumë alternativa, që të shtojnë konkurrencën dhe cilësinë.
Top Channel