Fiks Fare denoncoi veprimet e institucioneve në Sarandë, të cilat u kanë hequr të drejtën e pronësisë 54 familjeve në fshatin Vergo.
Megjithëse pronën e kanë përfituar në vitin 1991, me ligjin 7501, në vitin 2013 Gjykata e Sarandës ka vendosur që këtë pronë, t’ia japë një personi tjetër. Në atë kohë, gjykata evidentoi se prona figuronte shtet dhe nuk kishte pronarë. Madje, gjyqi nuk u bë me familjet e fshatit Vergo, por me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Në gjykatë nuk shkoi asnjë përfaqësues shteti, ndërsa banorët nuk u njoftuan asnjëherë se po bëhej një gjyq për pronën e tyre. Në fund, Gjykata e Sarandës ia dha pronën prej 24 hektarësh një individi të vetëm, duke lënë në mes të rrugës 54 familje.
Gazetarët e Fiks Fare udhëtuan në Delvinë, duke biseduar me këto familje.
“Disponojmë aktet e marrjes së tokës në dorëzim. Çfarë ka ndodhur? Një paradoks, që po vuajmë prej 1 viti. 1 mashtrues, një sharlatan sëbashku me një gjyqtar në Sarandë, qytetari quhet Balil Proda, pretendon që kjo tokë është e tija. E gjithë kjo tokë është ndarë, pasi është bujqësore. Është ndarë nga komisioni i fshatit rregulli dhe ligji i asaj kohe. Ne i kemi të gjitha aktet” thonë ata.
Sipas tij, qytetari shkoi në Gjykatën e Sarandës, ku gjyqtari Petrit Aliaj i dha të drejtë. “GJyqtari Petrit Aliaj jep vendime të rëndësisë së veçantë në Vlorë. Na hoqi pronësinë, pa e ditur fare neve” thonë banorët.
Një grua 75-vjeçare thotë se po e ndjek ajo çështjen e pronësisë. “Ne duam drejtësi, nuk flasim kot” thotë ajo. Një tjetër pohon se ka dokumente dhe një vërtetim nga kryetari i Bashkisë Delvinë që këtë tokë e disponon nga viti 1994 dhe ka paguar taksa. Një ish punonjës e komunës Vergo thotë se komuna nuk është njoftuar asnjëherë për këtë proces gjyqësor.
“Kjo është çmenduri, bëri një gjyq dhe në momentin e fundit Agjencia nuk paraqitet në gjyq. U pagua. Tokan s’ka për ta marrë për 1000 vjet, shteti të vejë dorë. Ne dokumentet i kemi çuar në Hipotekë. Tani, Hipoteka meqenëse ka mbivendosje dhe ai ka dokumente dhe neve na ka ndërprerë veprimet” thonë banorët.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Delvinës, Rigels Balili, thotë se “banorët kanë të drejtë”. Ai pohon se është njohur me këtë procedurë dhe ata kanë AMTP-të e 7501. “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk ka pyetur pushtetin vendor, a është e zënë, a është e lirë kjo tokë që pretendohet ti kthehet. Ne s’kemi marrë asnjë shkresë. Ato 54 familje kanë qenë taksa pagues të rregullt ndaj pushtetit vendor. Në dokumente skam asnjë dokument të Kthimit të Kompensimit të Pronave” thotë z.Balili, i cili saktëson se toka është ndarë me ligjin 7501. “Aktualisht është pezulluar regjistrimi në Hipotekë. Është në proces gjyqësor dhe presim të zgjidhet nga gjykata. Disa prej banorëve kanë ardhur dhe kanë kërkuar regjistrimin fillestar të pronës. Ne ua kemi dërguar Hipotekës së Sarandës” përfundon kryetari i bashkisë.
Fiks Fare iu drejtua me një kërkesë zyrtare Hipotekës së Sarandës. Hipoteka na ktheu përgjigje se në këtë zyrë është aplikuar në datën 30 dhjetor 2013 nga z.Balil Proda kërkesa për regjistrim të veçantë të pasurisë “Kullotë me sipërfaqe 131.6 dynym dhe tokë bujqësore me sipërfaqe 242.4 dynym”. Nga dokumentacioni i depozituar rezulton se AKKP, pas shqyrtimit të kërkesës së Balil Proda, ka vendosur rrëzimin e kërkesës dhe mosnjohjen e të drejtës së pronësisë. Kundër vendimit është bërë ankim në gjykatë, e cila në vitin 2013 vendosi pranimin e padisë.
Hipoteka i është drejtuar Bashkisë Delvinë për shpallje publike. Gjatë afishimit, Njësia Administrative Vergo i ka dërguar shkresë Hipotekës se kjo tokë është trajtuar në bazë të ligjit 7501. Pranë Hipotekës u paraqitën për regjistrim të veçantë 8 banorë. Kë këto kushte, Hipoteka konkludoi se kur ka mosmarrëveshje apo mbivendosje aktesh, është kompetencë e gjykatës dhe jo e Hipotekës zgjidhja e çështjes.
Fiksi pyeti edhe z.Balil Proda. Ai tha se ka fituar një gjyq para se banorët të nxirrnin dokumentet e AMTP-së. I pyetur për deklaratën e kryetarit të bashkisë, Z.Proda tha se “unë mora dokument që janë të pa legalizuara nga organet shtetërore. Zona nuk ka azhornim sot. Nuk ka dhe harta. Në Hipotekë s’ka letra. Kjo doli pasi më ktheu mua pronën. Ata të komunës e dinin shumë mirë. Po të kishin AMTP do kisha marrë kompensim” thotë ai.
Pra, për të njëjtën pronë, të ndarë në vitin 1991, kanë dokumente 54 familje të fshatit Vergo dhe një ish-pronar.
Top Channel