I ftuar në studio ishte edhe deputeti demokrat Ervin Salianji, i cili në përgjigje ndaj lëvizjeve të mundshme në qeveri, tha se ajo që i intereson popullit shqiptar është largimi i Ramës.

“Opozita dhe qytetarët nuk janë të interesuar se kush ikën e kush vijnë, kjo qeveri që në ditën e parë të saj ka ardhur jo për qytetarët, e këtë e tregojnë të gjitha shqetësimet që kanë shfaqur qytetarët në këto vite. Largimi i Ramës do të ishte një zgjidhje për të gjithë, e kjo kërkesë nuk bëhet nga ne, por nga minatorë, fermerë, pensionistë, etj etj. Për qytetarët shqiptarë nuk ka për të ndryshuar gjë, nëse kjo qeveri qëndron ende në pushtet”, tha Salianji.

Përtej 8 kërkesave të shkruara nga studentët për kryeministrin, kemi edhe një shfaqje refuzimi të tij për t’i plotësuar ato. E kemi parë që ai ia ka dalë mbanë me shtresa të tjera të shoqërisë, por duket se me studentët i ka ngecur “sharra në gozhdë”. Studentët meritojnë vëmendje shumë më të gjerë, jo vetëm për 8 kërkesat e tyre, por edhe më shumë sesa kaq.

“Ne si opozitë e kemi paralajmëruar prej 3 vitesh pasojat që do të vinin nga ligji për arsimin e lartë, ndërkohë që përballë këtyre protestave nga grupe të ndryshme të interesit, kryeministri do të ishte më mirë të ishte larguar, edhe pse ai rezulton i zgjedhur nga populli”, deklaroi Salianji.

Ndërkohë, Spiropali i është kundërpërgjigjur Salianjit, duke thënë se asgjë nga interesat e PD-së nuk ka lidhje me interesat e studentëve. Partia Demokratike sipas saj ka në objektiv vetëm pushtetin, pushtetin dhe pushtetin, ndërsa studentët kërkojnë shumë më tepër përmirësime për të ardhmen e tyre, qoftë për nga merita, ashtu dhe për një jetesë më të denjë gjatë periudhës studentore.

“Bilancin se kush e ka përgjegjësinë më të madhe, e ka bërë tashmë populli dhe sërish mund ta bëjë. Opozita mund të vijë në pushtet, kur ky popull të mos përkrahë më qeverinë, të dalë në mitingjet e opozitës dhe të tregojë se mbështet parimet e tyre. Kjo gjë nuk po ndodh”, tha Spiropali.

Top Channel