Pas më shumë se 5 orësh, Edi Rama i dha fund mbledhjes së kryesisë socialiste që ka zgjatur më shumë që kur ai drejton partinë. Një analizë e partisë dhe e qeverisjes, në përfundim të së cilës kryeministri foli për vetëkorrigjim.

“Çdo ditë ka gjëra për t’u korrigjuar sepse nuk jemi të pagabueshëm. Në vakuumin e madh të një opozite të besueshme, na duhet të vetëkorrigjohemi”, tha Rama.

Shuplaka që Rama thotë se i dha qeverisë protesta e studentëve, ka qenë gjithashtu pjesë e analizës. Burimet nga Kryesia tregojnë se kryeministri është shprehur i pakënaqur me Forumin Rinor të PS-së, që, sipas tij, nuk ka sinjalizuar për masivizimin e pakënaqësisë.

“Protesta ka trajektoren e vet, reflektimi ynë është i domosdoshëm pas asaj shuplake dhe do të vazhdojë e do të thellohet në funksion jo vetëm të studentëve, por edhe në funksion të të qënit në lartësinë e ambicieve por edhe shqetësimeve të shoqërisë”, theksoi kreu i qeverisë.

Kryeministri duket i ndërgjegjshëm se problemet e qeverisë së tij shkojnë përtej studentëve dhe pranon se ka shumë për të korrigjuar: “Ne e kuptojmë që ka ende shumë për të bërë dhe pavarësisht rezultateve të padiskutueshme që janë arritur, njerëzit meritojnë shumë më tepër akoma. Në këtë aspekt kemi shumë për të korrigjuar, kemi bërë gabimet tona, gabime që i bëjnë të gjithë ata që ndërtojnë dhe punojnë”.

A do të bëjë kryeministri ndryshime në qeveri në kuadër të këtij reflektimi?

“Çdo gjë hap pas hapi, ju e dini se unë nuk e them asnjëherë fjalën e fundit të parën dhe unë di gjithmonë radhën e lëvizjeve, pasi gjithmonë mendohem gjatë para se të bëj çdo lëvizje”, u përgjigj Rama.

Lëvizja e radhës është të premten, më 28 dhjetor, në ora 10:00, kur socialistët kanë thirrur mbledhjen e Asamblesë. Këtu pritet që Rama të shprehet përfundimisht nëse do të rifreskojë ekipin me të cilin drejton vendin apo të presë pranverën, kur në mars Kryesia e PS-së vendosi të thërrasë Kongresin paraelektoral që do të dërgojë partinë në zgjedhjet vendore të qershorit 2019.

Top Channel