Në një dalje për mediat, Partia Demokratike ka vijuar akuzat për devijimin e Lumit të Lanës, për të krijuar mundësinë e zhvillimit të një projekti rezidencial.

Sipas PD, në skandalin e projektit rezidencial 60 milionë euro pranë Unazës së Madhe përfshihet edhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj.

“Skandali i projektit rezidencial 60 milionë euro pranë Unazës së Madhe përfshin jo vetëm Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, por edhe Ministrin e Financave Arben Ahmetaj. I pari, Erion Veliaj mashtroi, kur deklaroi se projekti nuk ekziston dhe se nuk ka leje ndërtimi për të. Ne kemi paraqitur dokumentat zyrtarë se projekti 60 milionë euro i trafikantit ndërkombëtar të drogës e ka kaluar fazën e parë të miratimit për leje ndërtimi. Tani leja është vetëm një formalitet. Arben Ahmetaj, mashtroi qytetarët, kur tha se ministria e drejtuar prej tij nuk ka patur asnjë lidhje me Edmond Begon gjatë procesit të privatizimit të zonës, ku i dënuari me 21 vjet burg për trafik droge do të ndërtojë projektin rezidencial 60 milionë euro”, u shpreh deputetja e PD, Jorida Tabaku.

Ndërkohë duke publikuar edhe disa dokumente, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa shton se “Afera e projektit 60 milionë euro pranë Unazës së Madhe me ndërtues trafikantin e drogës Edmond Bego, e ka pikënisjen tek Ministria e Arben Ahmetajt”

Sipas saj faktet ndodhen në dosjen e privatizimit.

“Edmond Bego është përsoni që ka paguar rreth 1.5 milionë euro në llogarinë e Ministrisë së Financave, të ndarë në 4 këste, nga muaji nëntor 2015 deri në mars 2016. Pagesat janë bërë nga kompania Inerte Ekspres, në pronësi 100 përqind të Edmond Begos. Faturat bankare që kanë dalë në ekran janë dokumenti zytar që provojnë mashtrimin e Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj. 4 pagesat për llogari të Ministrisë së Financave mbajnë datat, njëra në 13 nëntor 2015, me vlerë 121 milionë lekë. 3 të tjerat janë paguar brenda të njëjtës ditë, më 11 Mars 2016.

Vetëm pas këtyre pagesave nga Edmond Bego, Ministria e Financave ka lidhur kontratën për privatizimin e rreth 31 mijë metrave katrorë tek ish Serat, pranë Unazës së madhe.

Me pagesën e 1.5 milionë eurove për Ministrinë e Arben Ahmetajt nga Edmond Bego, të gjithë e dimë si vijoi historia.

• Plani Urbanistik I Tiranës u ndryshua me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt,
• Projekti për Lumin e Lanës u ndryshua që të mos prekë tokën ku do të ndërtojë trafikanti i drogës
• Bashkia e Tiranës ka miratuar fazën e parë të miratimit për lejen e ndërtimit.

Projekti rezidencial 60 milionë euro pranë Unazës së Madhe dhe projekti korruptiv 40 milion euro për zgjerimin e Unazës së Madhe janë modeli më i qartë se nën drejtimin e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, Tirana është shndërruar në lavatriçen më të madhe në Ballkan për pastrimin e parave të pista.

Top Channel