Koncerti festiv për Krishtlindjen në shesh, Veliaj: Më e mira për Tiranën është gjithmonë përpara!

24/12/2018 19:36

Tirana priti Krishtlindjet me një koncert festiv që u zhvillua në sheshin “Skënderbej”.

Reshjet e shiut nuk ndalën qytetarët që të jenë të pranishëm në shesh për festimet. Festa nisi me tingujt muzikore të orkestrës frymore ku u luajtën partiturat hite të këngëve të Kërshëndellave (mes pjesëve: Noel, La Spangola, Sing –Sing, Feliz Navidad, Nata e qetë, Jingle Bang etj.).

Teksa përshëndeti të pranishmit për Krishtlindjet, Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se 2018 është një vit i mbushur me shumë punë të bukura dhe siguroi se më e mira për Tiranën është gjithmonë përpara.

“Uroj që të jetë bereqet ky vit i ri që vjen në 2019-n dhe shpresoj me gjithë punët e bukura që kemi bërë në 2018-n, të jemi gjithmonë bashkë dhe të jemi gjithmonë pozitivë e optimistë, se më e mira për Tiranën është gjithmonë përpara. Për të gjithë ata vëllezër e motra të krishterë, duam t’u urojmë Gëzuar Krishtlindjet dhe qoftë një Krishtlindje e bukur dhe e mbarë por edhe për të gjithë të tjerët, duke qenë se ne në Tiranë i festojmë të gjitha festat qofshin edhe ato fetare. Duam t’u urojmë vetëm më të mirën, energjinë pozitive që buron nga ky qytet dhe që frymëzon gjithë punët e mira që ndodhin në Shqipëri”, tha Veliaj.

Ai falenderoi edhe artistët që iu bashkuan Bashkisë për të pasuruar jetën kulturore të kryeqytetit në këto ditë festash. “Një falenderim të veçantë për të gjithë artistët që pavarësisht motit kanë bërë një supersakrificë për të qenë me ne sot dhe u urojmë atyre gjithashtu një vit të suksesshëm, me më shumë aktivitete dhe me më shumë plane për artin, për kulturën dhe për gjithë ata që kanë pasion dhe talent në Tiranë”, deklaroi Veliaj.

Atmosfera e festës po përcillet më së miri nga këngëtarët Armando Kllogjeri, Ardita Meni, Linda Kazani, Suzana Frashëri e Gëzim Mushketa dhe nën dirigjimin e Valmir Xoxe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA