Drejtësi për Marvin, gjyqi që mban peng familjen e të ndjerit prej 18 muajsh

24/12/2018 20:07

Prej më shumë se 18 muajsh, prindërit e të ndjerit Marvi Mihali, ndjekin çdo seancën gjyqësore për të kërkuar drejtësi për djalin e tyre.

Në seancën e radhës, Pavllo dhe Mira Mihali u paraqitën për të dëgjuar dëshmitë e dy personave. Njëri prej tyre ishte truproja e kazinos, Besim Sokolaj, ku sipas pamjeve filmike shihet që është në vendngjarje, në momentin e vrasjes së 22-vjeçarit Marvi Mihali.

Por në dëshminë e tij, Sokolaj ka thënë se nuk mbante mend mirë ngjarjen, pasi nuk ishte afër momentit të krimit, dhe se nuk kishte parë mjete prerëse (thika) tek autorët e krimit.

“Unë kam qenë në punë te një kazino te stadiumi ‘Dinamo’, atë ditë aty ka ndodhur një sherr. Unë kam parë 3 djem, që kanë ardhur nga lart, pas kësaj nga një lokal me lojëra aty pranë kanë dalë 5 çuna dhe kanë filluar të përlesheshin me grushte. Nuk kam parë thika dhe as personin që ka qëlluar, por pashë që është rrëzuar një nga personat që ishte pjesë e sherrit”, tha Besim Sokolaj.

Por dëshmia e Sokolajt ka shkaktuar mërzitjen e familjarëve të Marvit. Sipas Mira Mihalit, dëshmitari Sokolaj gënjen kur thotë se ai ka qenë larg, pasi nga pamjet filmike rezulton se ka qenë shumë pranë dhe se nuk ka lëvizur për të ndërhyrë.

“Të të vij turp që gënjën, por sikur të kishte ndodhur ty kjo fatkeqësi. Mallkuar qofsh!” – ishin fjalët e Mira Mihalit, gjendja e të cilës është rënduar.

Dëshmia tjetër ishte ajo e Grejsi Stërmasit, shoqes së Marvi Mihalit. Ajo ishte me të ndjerin deri pak minuta para ngjarjes kriminale. Grejsi ka zbërthyer në gjykatë të njëjtën dinamikë që kanë treguar edhe provat e prokurorisë.

Dëshmitarja ka treguar se para ngjarjes, ajo së bashku me Marvin dhe disa miq të tjerë kanë qenë te sheshi “Nënë Tereza”, ndërsa e ka marrë Armendi në telefon disa herë dhe i ka thënë që të shkonte me të.

Në spital, tha Grejsi, Armendi i ka pohuar se Marvin e ka vrarë Dejvi Bitraj, ndërsa i ka thënë se ata, ishin të armatosur me thika dhe ai vetë ishte larguar nga frika.

“Të ndjerin e kam pasur shok të ngushtë, njoh edhe Armendin, ndërsa me të pandehurit nuk kam asnjë njohje. Ditën kur ka ndodhur ngjarja, ne kemi qenë së bashku pothuajse gjithë ditën dhe në momentin që Marvi është telefonuar nga Armendi, kemi qenë te sheshi “Nënë Tereza”, së bashku me disa miq të tjerë. Marvi është larguar pak nga ne kur foli në telefon dhe kur u kthye, u duk i shqetësuar, ndërsa kam dëgjuar që e pyeti nëse ishin prekur me dorë, pra, nëse ishin konfliktuar apo vetëm kishin folur në telefon. Pas kësaj, Marvi i ka thënë që të mos shkonte dhe ta linte këtë punë për ditën tjetër. Ne jemi larguar nga sheshi dhe deri në momentin që jemi ndarë, Marvi nuk do të shkonte, ndërkohë unë e kam telefonuar shpesh gjatë kësaj kohe që të merrja vesh se çfarë do ndodhte, por ai nuk ma ka ngritur telefonin dhe më ka shkruar se ishte me njerëz. Më vonë, më ka marrë në telefon Armendi, i cili më pyeti për Marvin, ndërsa unë së bashku me nënën time dhe një shoqe kemi kërkuar në urgjenca, kur shkuam të Spitali Ushtarak kemi takuar Armendin, i cili ishte me dy persona të tjerë. Ai më ka thënë se Marvin e ka qëlluar me thikë Dejvi, ndërsa ai ishte larguar pasi ata personat ishin të armatosur me thika dhe hunj”,- tha shoqja e Marvi Mihalit, Grejsi Stërmasi.

Procesi gjyqësor  është në fazën e marrjes së dëshmive, ndërsa ende nuk dihet kur do të jepet vendimi për vrasjen e të riut, Marvi Mihali.

Top Channel ka zbardhur pak muaj më parë, të gjithë dinamikën e vrasjes së Marvi Mihalit, ku nëpërmjet pamjeve filmike, ai ka rënë pre e një sulmi me thikë nga disa bashkëmoshatar. Pas transmetimit të një dokumentari, gjykata vendosi të rikthejë 3 nga të akuzuarit në qeli, për tu gjykuar bashkë me Dejvi Bitrajn, për veprën penale të “Vrasjes në bashkëpunim”.

Top Channel