37-vjeçari Bledi Shkurtaj, shqiptari që u arratis pak ditë më parë prej rajonit të policisë në Menidhi të Athinës, është arrestuar prej policisë greke gjatë orëve të para të mbrëmjes të së shtunës.

Sipas informacioneve të para, ai fshihej në banesën e një miku të tij, në lagjen “Hajdari” të kryeqytetit Athinë, dhe u desh ndërhyrja e forcave speciale të policisë EKAM, për të vënë në pranga 37-vjeçarin, i cili konsiderohet si një prej kriminelëve më të rrezikshëm në Greqi.

Shkurtaj u arratis nga rajoni i policisë në Menidhi, ku mbahej nën akuza të rënda, mes të cilave krijim i organizatës kriminale, vrasje me dashje, plagosje dhe tentativë vrasje, si dhe një sërë akuzash tepër të rënda.

Ai u arrestua gjatë një tentavive grabitje në zonën Vilia të Athinës, ku i gjendur nën rrethimin e forcave të rendit, hapi zjarr me kallashnikov. Nga shkëmbimi i zjarrit, 37-vjeçari mbeti i plagosur.

Shkurtaj do të dërgohet në drejtorinë e policisë së Atikës dhe gjatë ditëve në vazhdim, do të dërgohet në gjykatë për masë sigurie.

Top Channel