Rrezohet nga mazhoranca drafti për Vettingun në politikë, i propozuar nga opozita. Nisma u rrëzua me 74 vota kundër, ndërsa 52 votat e opozitës kanë shkuar pro nismës për amendamentet kushtetuese. Seanca prej 7 orësh u shoqërua me debate.
Para votimit, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ju bëri thirrje deputetëve të mazhorancës që të votojnë ligjin që i hap rrugë vettingut për politikanët. Basha tha se e vetmja zgjidhje që Shqipëria të dalë nga bataku ku është zhytur, është ndarja e politikës nga krimi. Basha u shpreh se opozita është e gatshme të votojë të gjitha propozimet e mazhorancës për vettingun e politikës, mjafton që ajo të marrë dakordësi e Komisionit të Venecias.
“Rreth 3 vjet më parë nga kjo sallë PD bashkë me qytetarët shqiptarë formuloi zgjidhjen e dekriminalizimit për një realitet të tmerrshëm. Persona me precedent kriminalë u sollën nga kreu i Rilindjes në këtë sallë si deputetë, u sollën në krye të bashkive të vendit, u bënë drejtorë. Merita e vetme e këtyre njerëzve nuk ishte artikulimi politik, e kundërta kishte ndodhur. Në shumicën dërrmuese të rasteve këta njerëz kishin qenë në burg, për shitjen dhe trafikimin e vajzave dhe nënave shqiptare, si në rastet, e Prengës, Roshit, Frrokut etj.
Nuk do të ketë sukses asnjë reformë, as reforma zgjedhore, për sa kohë sistemi i drejtësisë nuk ka çuar asnjë politikan prapa hekurave. Venecia ju ka kërkaur që të uleni dhe bashkë me opozitën të punoni që ligji për vettingun e politikanë të miratohet me konsensus. Këta nuk e duan vettingun, sepse për shumë prej tyre ky është fundi i karrierës politike. Sot i bëjë këtë apel të fundit që ta kalojnë, këta që janë në të majtë dhe të bashkohen me ne për të votuar amendamentet kushtetuese”, tha Basha nga foltorja e Kuvendit.
Top Channel