Reforma në Drejtësi ka zënë vendin kyç të diskutimeve në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja për këtë të premte. Më konkretisht është folur për një zhvillim shumë të rëndësishëm, që lidhet me një prej hallkave më kyçe të Reformës në Drejtësi, sikurse është Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Kjo strukturë sapo është krijuar dhe ka zgjedhur si kryetar të saj zotin Gent Ibrahimi, i ftuari i radhës në emisionin e Top Channel.

Më në fund, pas shumë vështirësive, peripecive e procedurave, është krijuar Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

“Mendoj se për ata që e kanë ndjekur ka qenë një sfidë durimi. Është një proces i stërzgjatë që ka filluar një vit e gjysmë përpara dhe 5 nga 11 anëtarët e tij janë ulur përreth tryezës të KLP-së. Ata janë zgjedhur që më 8 shkurt të këtij viti, e ka qenë një pritje e gjatë prej rreth 10 muajsh. Mund ta imagjinoni që ka një lloj padurimi te njerëzit që e kanë ndjekur nga afër”, tha Gent Ibrahimi.

Nga konstituimi, tashmë kalojmë te veprimet konkrete: ato që do të jenë edhe produktet e këtij Këshilli. Kur pritet të ngrihen SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimeve, dy prej stukturave kryesore prej të cilave shqiptarët mezi presin të vendoset drejtësi?

“Për t’u përgjigjur shkurt, dalja e dimrit dhe hyrja e pranverës do ta gjejë Shqipërinë me Prokurorin e ri të Përgjithshëm dhe me Prokurorinë e Posaçme të ngarkuar nga Kushtetuta me hetimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, deklaroi Ibrahimi.

Por, a kanë filluar procedurat për zgjedhjen e kryeprokurorit të Republikës?

“Ende jo, pasi pritet të fillojnë në momentin që bëhet shpallja nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në faqen zyrtare të internetit, e cila është në ndërtim e sipër. Në mbledhjen përuruese të KLP-së unë thashë se, nga data 19 dhjetor (atë ditë) fillojnë e rrjedhin afatet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji për të gjitha detyrat tona, njëra prej të cilavë është padyshim zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm. Por, ende në pritje të ndërtimit të faqes së internetit, nuk ka filluar procedura. Shpallja nga KLP-ja do të jetë një thirrje për të gjithë ata që janë të interesuar për të konkurruar për postin e kryeprokurorit. Gjithsesi është çështje ditësh, përpara se kjo të nisë”, u shpreh më tej kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ibrahimi.

Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, mendohet se do të jetë një nga kandidaturat, e cila në fakt do të rikandidojë, pasi e mban këtë post prej një viti. Ndërkohë, opozita ka shfaqur rezervat e saj në lidhje me kryeprokuroren e përkohshme, që prej emërimit të saj në këtë detyrë, dhe dukshëm do të jetë e paragjykuar nëse futet në një garë të tillë. Si do t’ia bëjë KLP-ja që ky proces të fitojë besimin e politikës në tërësinë e saj?

“Kjo është një sfidë shumë e vështirë në fakt. Por, për ne më i rëndësishëm është besimi i publikut. Natyrisht edhe besimi i politikës është i rëndësishëm, por ndonjëherë ky besim përcaktohet nga interesat e saj dhe jo nga çfarë është me të vërtetë e rëndësishme. Ndaj, objektivi ynë i parë është të fitojmë besimin e publikut në këtë proces e sipër. Shpresoj edhe të politikës. Sesi do t’ia bëjmë, kjo është shumë e rëndësishme. Përgjigjja qëndron në radhë të parë te ligji, mbi bazën e të cilit ne punojmë. Është një ligj, i cili është me të vërtetë shumë i detajuar sa i takon kushteve që duhet të plotësojnë të gjithë kandidatët. Që të kandidosh për postin e Prokurorit të Përgjithshëm duhet të plotësosh disa kushte, të cilat janë shumë të qarta dhe ekzigjente”, tha Gent Ibrahimi.

Çfarë e karakterizon prokurorin e ri, ndryshe nga prokurorët që kemi pasur në këto vite?

“Në fund të fundit, një prokuror të përgjithshëm nga një tjetër e dallon personaliteti i tij, apo i saj. Por kushtet ligjore nuk kanë ekzistuar fare në të shkuarën. Në të kaluarën, që të ishe Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë mjaftonte që të kishe mbështetjen e nevojshme të një krahu të politikës dhe bëheshe menjëherë kryeprokuror. Sot janë një mori kushtesh që kanë të bëjnë me vitet e shërbimit në detyrë, me specializimet në fushat përkatëse, me vlerësimin e performancës si prokuror në të shkuarën, me integritetin. Sigurisht që do të ketë verifikime paraprake për kandidatin, jo si më parë. Pak a shumë, ai vetting që bëhet sot për magjistratë në detyrë, do të bëhet edhe nga KLP-ja për të gjithë kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm. Në rast se nuk e kanë kaluar vettingun, do të kalojnë një minivetting në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Pra ka kërkesa shumë ekzigjente, të cilat më parë nuk ekzistonin. Ky është parakushti i parë për të pasur një Prokuror të Përgjithshëm që ta meritojë këtë emër dhe këtë post të rëndësishëm”, shpjegoi më tej Ibrahimi.

A priten shumë kandidatura për kryeprokuror? Kjo pyetje lind duke pasur parasysh se mezi u ngritën KLP-ja dhe KLGJ-ja, nisur nga kushtet që duhet të plotësojnë anëtarët e tyre. Me këto kushte “ekstra” për kryeprokurorin, duket sikur do të jetë e pamundur për të gjetur një masivitet kandidaturash.

“Unë nuk kam asnjë indicie, megjithatë kam një besim të brendshëm që do të ketë disa kandidatura për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ato kushte, vërtet janë ekzigjente, por janë kushte që i plotësojnë prokurorët e Republikës së Shqipërisë. Nga një popullatë prej rreth 300 prokurorësh, mund të ketë 100 syresh që i plotësojnë kushtet ligjore. Se kush kandidon, pastaj është çështje tjetër. Ligji përcakton edhe kriteret e vlerësimit që do të përdoren nga KLP-ja, kështu që pavarësisht nga vështirësia që imagjinojnë të tjerët që e shohin nga larg këtë proces, unë imagjinoj që për ne aty brenda, ky proces do të jetë thjesht një ushtrim aritmetike. Ne thjesht do të vendosim pikëzimin e këtyre kritereve, ndërsa ligji i përcakton kriteret. Hapësira jonë për diskrecion në kushtet e këtij ligji është vërtet shumë e kufizuar, dhe e tillë saqë të jetë e justifikuar. Në fund të fundit mund të kesh një preferencë të x-it përkundrejt y-it, për sa kohë që të gjithë kandidatët i plotësojnë kushtet”, deklaroi në vijim kreu i KLP-së.

Por, a do të jetë i zgjedhur me shumicë absolute votash, apo me shumicë të thejshtë brenda KLP-së Kryeprokurori i ri?

“Me shumicë të thjeshtë. Mjafton që 6 prej anëtarëve të mbështesin një kandidat. Për të qenë i saktë fare, emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm është kompetencë e Kuvendit të Shqipërisë, jo e Këshillit. Detyra jonë është që të bëjmë filtrimin e kandidaturave, rendisim 3 më të mirët që marrin më shumë pikë në vlerësimin e kritereve që përmbushen prej tyre, dhe më pas ia paraqesim Kuvendit”, tha Gent Ibrahimi.

Kjo gjë bën në fakt që në çdo rrethanë, vendimi të jetë politik.

“Vendimi do të jetë politik, por brenda atyre kritereve dhe kushteve ligjore për të cilat sigurohemi ne. Detyra jonë është që të sigurohemi se 3 kandidatët kryesorë i plotësojnë kushtet e ligjit dhe pastaj politika ka një hapësirë të vogël për zgjedhje. Vetëm duhet të keni parasysh se politikës do t’i duhen 3/5-at e votave të Kuvendit për të emëruar Prokurorin e Përgjithshëm, gjë që të paktën në kushtet aktuale politike duket e vështirë. Ndaj, ne jemi të ndërgjegjshëm për faktin që, me gjasë kandidati i renditur i pari nga ne do të jetë efektivisht Prokurori i Përgjithshëm”, shprehet Ibrahimi.

Por, a është i ligjshëm procesi nëse paraqitet vetëm një kandidaturë dhe do të duhet të shkohet vetëm me këtë kandidaturë në Kuvendin e Shqipërisë?

“Besoj se po, pavarësisht se ballafaquar me vështirësinë e realitetit duhet ecur përpara sidoqoftë me emërimin e kryeprokurorit”, u shpreh kreu i KLP-së.

Gjatë seancës kur zoti Ibrahimi u zgjodh kryetar dhe po ashtu u zgjodh edhe nënkryetari i KLP-së, mungesa e përfaqësuesve (politik) të institucioneve, si për shembull Kuvendi, sipas kritereve të ligjit. Pse kjo ftohje e politikës në raport me këtë proces të rëndësishëm dhe të gjithëvotuar?

“Thelbi ishte rezultati i zgjedhjes sonë. Ne si Këshill vendosëm që të mos ftojmë kërkënd, por të njoftojmë gjithkënd. Njoftimi ka qenë i hapur dhe atë e ka lexuar edhe ministrja e Drejtësisë, edhe kryetari i Kuvendit, edhe prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme. Ne nuk ftuam në mënyrë të personalizuar, për një etapë procesi të parashikuar nga Kushtetuta. E rëndësishme është që ky proces të jetë publik, prania e titullarëve të institucioneve nuk është e domosdoshme, por simbolike dhe e rëndësishme. Kryeprokurorja e përkohshme zgjodhi të ishte e pranishme dhe të dëshmonte atë moment historik, funksionarët e tjerë të lartë të shtetit që mund të ishin të pranishëm zgjodhën të bënin të kundërtën. Ndoshta për të dhënë sinjalin e parë të një distancimi nga një institucion si Këshilli i Lartë i Prokurorisë”, tha Gent Ibrahimi.

Sa i përket afateve, kur mund ta kemi kryeprokurorin e Republikës?

“Afatet janë të njëjta si për kryeprokurorin e Republikës, ashtu dhe për SPAK-un. Janë dy muaj nga momenti i ngritjes së Këshillit, thejsht duhet vënë në lëvizje mekanizmi përmes shpalljes që ne duhet të bëjmë, sipas ligjit në faqen tonë të internetit që është në ndërtim e sipër. Në momentin që kemi faqen dhe shpalljen tonë besoj se dy muajshi do të fillojë të llogaritet nga ai çast. Por sidoqoftë, fillimi i pranverës do ta gjejë Shqipërinë me këto institucione të rëndësishme të plotësuara”, tha Ibrahimi.

Në fakt, disa nga anëtarët aktualë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë janë ende në proces vettingu. Le të supozojmë se ata mund të rrëzohen në shkallën e dytë të vettingut, në KPA, a mund të rifutemi në një ngërç tjetër?

“Jam besimplotë se anëtarët e Këshillit që janë në procesin e vettingut për shkak të ankimimeve do t’ia dalin faqebardhë edhe në shkallën e dytë, megjithatë, teknikisht nuk futemi në një ngërç të ri, sepse sidoqoftë kuorumi i Këshillit ekziston dhe ai mund të vijojë të punojë edhe pa këta 3 anëtarë, ndonëse ky është një skenar që nuk e llogaris”, u shpreh Ibrahimi.

Në fund, cila do të jetë “shtëpia” e re e KLP-së, pasi ajo aktualja është e huazuar?

“Kjo është një çështje e rëndësishme, kemi disa alternativa të paraqitura nga qeveria. Duket se po anojmë ndaj njërës. Me gjasë nuk do të jetë shtëpia e ushtrisë, ish-Shkolla e Bashkuar, edhe pse mua do të më pëlqente shumë. Por distanca vajtje-ardhje do të ishte një barrë e rëndë dhe kosto për institucionin. Me gjasë do të shkojmë drejt një zgjedhjeje që nuk e ka dinjitetin e shtëpisë së ushtrisë, por që sidoqoftë është më e qasshme. Ndoshta mund të jetë një zgjidhje godina që dikur i përkiste ARRSH-së, përballë teatrit të ri “Turbina”. Por duhet të ketë me se s’bën më shumë sesa këto alternativa”, tha Ibrahimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA