PD, me vezë kundër Ramës. PS: Vezët i futi Basha, të përjashtohet

20/12/2018 14:46

Rikthimi në Parlamenti i opozitës, pas gati 6 muajsh bojkot, ktheu edhe incidentet në sallën plenare. Seanca nisi normalisht ndonëse propozimi i socialistëve për të futur në rendin e ditës draftin e tyre për reformën zgjedhore, solli reagimin e Lulzim Bashës

Edi Rama kishte ndërmend të fliste më pak nga 40 minutat që i kishte rezervuar grupi i tij parlamentar, por demokratët, përmes dorës së Endri Hasës, ia shkurtuan akoma më shumë kohën në foltore.

Por si ndodhi incidenti? Kamera e Top Channel regjistroi deputetin Hasa që para se godiste Ramën shkon të konsultohet me shefin e tij, Lulzim Bashën.

Ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara në Facebook, nga numri dy i PS-së, Taulant Balla, sjellin të njëjtin moment nga një kënd tjetër. Eshtë kryedemokrati Basha që thërret deputetin e tij e ndërsa ky i afrohet, duket ndërsa zgjat duart në xhepat e shefit.

Byroja përjashtoi më pas me 10 ditë deputetin Endri Hasa, ndërkohë që kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla konfirmoi për Top Channel se mazhoranca do kërkojë edhe përjashtimin e vetë kryedemokratit Basha, për gjuhën e përdorur dhe si nxitës i akteve të dhunës.

Vezët nuk ishin të vetmet objekte që hodhën demokratët në adresë të kryeministrit. Partia Demokratike shpërndau këto pamje ku, gjatë ndërprerjes së seancës, në mungesë të medias, deputetët e saj hedhin në adresë të kryeministrit p/ligjet e rendit të ditës.

Edhe për këto veprime mësohet se PS do të kërkojë përjashtimin e deputetëve Flamur Noka, Edi Paloka e Gent Strazimiri, ndërsa PD kërkoi përjashtimin e Kryeministrit për fjalor të fyes.

Rama komentoi incidentin në Facebook, ku publikoi edhe fjalën që kishte përgatitur të mbante në foltore.

Ndërsa Endri Hasa deklaroi në Facebook se vezët ia kishin dhënë dy studente.

Top Channel