Në mbledhjen e parë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, kjo e enjte u konsiderua si një epokë e re jo vetëm për gjyqtarët dhe sistemin e drejtësisë, por edhe për thelbin e reformës, që është ngritja e SPAK-ut dhe GJKKO-së, që do të hetojnë të paprekshmit e politikës.

“Ky hap që po hedhim sot i hap rrugë zgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve dhe drejtuesve të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sikurse edhe zgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë”, tha Fatmira Luli, anëtare.

Pas procesit të votimit, i cili ishte i hapur, me shumicë votash u zgjodh si kryetare Naureda Llagami, ndërsa si zv.kryetar Maksim Qoku. Që të dy ata vijnë nga shoqëria civile dhe bota akademike.

“Ne nisim së bashku një rrugë me shumë përgjegjësi drejt konsolidimit të një gjyqësori të pavarur, të paanshëm, të pakorruptuar dhe të pandikuar nga politika”, tha Naureda Llagami, kryetare e KLGJ-së.

  KLGJ-ja zgjedh drejtuesin e saj

Kryetarja e parë e KLGJ-së, zonja Llagami do ta drejtojë këtë institucion të ri të Reformës në Drejtësi me një mandat pesëvjeçar, mandat i cili u caktua nga shorti me gogla. Ndërsa zëvendëskryetari do të jetë në këtë detyrë me një mandat 3-vjeçar.

Veç interesimit të medies, mbledhja e parë e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit u ndoq edhe nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i cili e drejton këtë gjykatë me vetëm 4 anëtarë, pasi të tjerët kanë ngelur gjatë krasitjes së procesit të vettingut.

Siç duket, Zaganjori pret që mes prioriteteve të KLGJ-së të jetë edhe mbushja sa më shpejt e Gjykatës së Lartë, e cila aktualisht është mbytur nga “backlog”-u i dosjeve, numri i të cilave ka arritur në 30 mijë çështje.

I krijuar me Kushtetutën e vitit 1998, tashmë Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ekziston më. Ai është zëvendësuar nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, i cili do të mblidhet sërish ditën e premte për të shqyrtuar në rend dite dhe për të emëruar kryetarët e gjykatave që janë shkarkuar deri më tani nga procesi i vettingut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA