Një ditë pas vendimit për dëbimin e dy diplomatëve të Ambasadës së Iranit në Tiranë, pjesa tjetër e stafit të ambasadës vijon punën normalisht.
Përveç ambasadorit, personi i dytë i shpallur “non grata” mendohet se është një bashkëpunëtor i ngushtë i tij, në funksionin e këshilltarit, por ende nuk ka një konfirmim dhe as një identitet nga autoritetet. Diplomatët e shpallur “non grata” dyshohet se kanë lidhje me dy shtetas iranianë të dëbuar po gjatë këtij viti nga Shqipëria.
Sipas burimeve, në mars të 2018 dy persona që pretendonin se ishin gazetarë iranianë kishin ardhur në Shqipëri për të ndjekur festën e Sulltan Novruzit. Shetasit F.Z. dhe S.M. u dëbuan pasi ishin skeduar më parë nga agjencitë ligjzbatuese si individë që përbënin rrezik për komunitetin muxhahedin të strehuar në Shqipëri.
Sipas burimeve, dy iranianët që hiqeshin si gazetarë dhe u dëbuan në mars të këtij viti kanë dalë në përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Antiterrorit edhe pas arretimeve që parandaluan një sulm terrorist në ndeshjen e futbollit Shqipëri-Izrael.
Ndërkohë, dëbimi i diplomatëve iranianë është paralajmëruar vetëm pak ditë më parë nga një ish-kongresmen amerikan në një takim me organizatën e MEK-ut në Shqipëri.
Ish-kongresmeni Patrick Kennedy thotë: “Qeveria shqiptare duhet të nxjerrë jashtë çdo diplomat iranian në këtë vend”.
Për shkak të aktivitetit të diplomatëve të dëbuar, dyshohet se së është anuluar edhe vizita e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu në Shqipëri, në fillim të nëntorit. Në atë kohë u tha se kryeminsitri e anuloi vizitën për shkak të ndarjes nga jeta të një ministri të kabinetit të tij, por po atë ditë Netanjahu u shfaq në një vend tjetër ballkanik.
Top Channel