Të 11 anëtarët e “qeverisë” së Prokurorisë zhvilluan mbledhjen e parë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Mbledhja nisi me miratimin e rregullores, e më tej me çeljen e garës për drejtuesit e këtij institucioni të ri të Reformës në Drejtësi.
“Mos prisni nga institucioni ynë argument kundërshtues ndaj konfliktualëve. Nuk do të ketë kurrë”, tha Nurihan Seiti, anëtare e KLP-së.
Dy pretendentët kryesorë për kryetar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë ishin Gent Ibrahimi, i cili ka qenë gjithashtu ekspert i nivelit të lartë i Reformës në Drejtësi, si dhe Nurihan Seiti.
“Unë e kam parë sistemin nga jashtë dhe kjo më ka rrezikuar që të jem edhe paragjykues, të jem moskuptues për vështirësitë e atyre që janë brenda sistemit”, tha Gent Ibrahimi.
Gent Ibrahimi fitoi garën për kryetar me shumicë votash, ndërkohë që mandati i tij sipas shortit me gogla do të jetë 3-vjeçar. Si zv.kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë fitoi Alfred Balla, që më herët ka qenë ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë.
Shorti me gogla përcaktoi gjithashtu edhe mandatet për anëtarët prokurorë dhe joprokurorë.
Mandate 3-vjeçare për Gent Ibrahimin, Sandër Becin, Kosta Belurin, Arben Dollapajn, Antoneta Sevdarin.
Mandate 5-vjeçare për Alfred Ballën, Nuriham Seitin, Tartar Bazen, Bujar Sheshin, Besnik Canin dhe Gentian Osmanin.
Përveç duartrokitjeve nuk munguan edhe batutat.
Kjo mbledhje u monitorua edhe nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, ndërsa mungonin përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe të Kuvendit.
Arta Marku do të jetë një nga kandidaturat për Prokurore të Përgjithshme, por pavarësisht kësaj, ajo nuk dha asnjë koment në përfundim të mbledhjes.
“Kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm, për drejtues të Byrosë së Hetimit, për prokurorë të SPAK-ut do të aplikojnë me besimin absolut”, tha Nurihan Seiti.
“Do të bëjmë të mundur përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë të mundshëm për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke kontribuuar kështu në forcimin e luftës penale kundër korrupsionit”, tha Gent Ibrahimi.
Në mbledhjen e ardhshme, KLP do të çelë garën për Prokurorin e Përgjithshëm e gjithashtu do të nisë me emërimet e magjistratëve që janë diplomuar një muaj më parë.
Top Channel