Komisioni i Ekonomisë rrëzoi dekretin e Presidentit për rishqyrtimin e buxhetit të vitit 2019. Sipas ministrit të Financave, Arben Ahmetaj zgjidhjet për studentët janë dhe nuk është nevoja për të ndërhyrë.
“Qeveria është duke pritur me padurim studentët që të ulen dhe të dialogojnë me kryeministrin, me qeverinë, në mënyrë që të mos kemi vetëm ato 8 pika, por të kemi një pakt kombëtar me të qeverisë, me studentët, në mënyrë që të mos kemi një zgjidhje “ad hoc” dhe vetëm të momentit, por të kemi një plan së bashku me studentët afatgjatë”, tha Ahmetaj.
Po ashtu, Komisioni i Ekonomisë do t’i kërkojë seancës plenare rrëzimin e dekretit tjetër të Presidentit Ilir Meta, atë për emërimin e Vitore Tushës në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas deputetëve socialistë, zonja Tusha është e angazhuar në organet e reja të sistemit të drejtësisë që do të merren me emërimet, ndërkohë, sipas Erion Braçes, duke qenë se vjen nga fusha e gjyqësorit, nuk ka eksperiencën e duhur për të drejtuar KLSH-në.
“Të gjitha eskperiencat e zonjës Vitore Tusha, përfshirë edhe eksperiencën akademike, janë larg specifikës së çështjeve financiare në përgjithësi dhe auditimit në veçanti si veprimtaritë më të rëndësishme të KLSH-së”, u shpreh Braçe.
Dy dekretet e Presidentit do të kalojnë për votim në seancën plenare të radhës.
Top Channel