Të enjten opozita rikthehet në Parlament duke shpëtuar në këtë mënyrë edhe mandatet.

Edhe pse mes tyre kishte nga ata të cilët mbrojtën idenë e djegies së mandateve, aleatët opozitarë ranë dakord që të rinisin aktivitetin parlamentar ditën ku diskutohet dekreti i Presidentit Ilir Meta, i cili ktheu për rishqyrtim buxhetin e vitit 2019.

Por, Monika Kryemadhi, e cila doli pak më vonë se kolegët e saj nga zyra e kryedemokratit Lulzim Basha la të kuptohet se normaliteti nuk do të zgjasë shumë: “Po kthehemi vetëm për studentët”.

Hapin e parë për rikthimin zyrtar në Parlament, opozitarët e hodhën në Konferencën e Kryetarëve, ku përfaqësuesit e saj morën pjesë. Konferenca përfshiu në rendin e ditës së punimeve të Parlamentit reformën zgjedhore. Mazhoranca depozitoi në Kuvend draftin e padakortësuar dhe kërkoi që të miratohet menjëherë në një nga dy seancat e parashikuara, por opozitarët bënë me dije se nuk kanë ndërmend ta votojnë.

Tensioni politik parashikohet të reflektohet në dy seancat e njëpasnjëshme plenare, ku pritet të mungojë konsensusi për nismat të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar.

Top Channel