Borussia e Dortmundit pësoi humbjen e parë në kampionat, teksa u mposht me rezultatin 2-1 në transfertën ndaj Dusseldorf, në sfidën e vlefshme për javën e 16 të Bundesligës.
Lukebakio dhe Zimmer shënuan për vendasit, konkretisht në minutën e 22-të dhe 52-të, ndërsa goli i Alcacer për verdhezinjtë shërbeu vetëm për të bërë sfidën më emocionuese në minutat e fundit.
Pavarësisht kësaj humbjeje, Borussia e Dortmundit mbetet në vendin e parë, në kuotën e 39 pikëve, plot 6 më tepër se Borussia Munchengladbach, që mban vendin e dytë me 33 pikë.
Këta të fundit triumfuan mbrëmjen e sotme me rezultatin e pastër 2-0, përballë modestëve të Nurnbergut, falë golave të Thorgan Hazard dhe Plea, të dy në pjesën e dytë të takimit.
Në sfidat e tjera, Volfsburgu mposhti me rezultatin 2-0 Stuttgartin, ndërsa Hertha e Berlinit dhe Augsburgu ndanë nga një pikë në barazimin 2-2 të arritur në kryeqytetin gjerman.
Top Channel