Drejtori Sportiv i Partizanit, Olsi Rama, i pranishëm në mbledhjen e fundit të klubeve të Superiore, zbuloi për mediat disa nga detajet në lidhje me funksionimin e Ligës Profesioniste.
Çfarë u vendos në këtë mbledhje?
Ramë dakord që sa më shpejt të jetë e mundur të fillojë Liga.
Cilat ishin pikat për të cilat ratë dakord?
Nuk pati ndonjë vështirësi, kishim sjellë disa mendime në projektin e paraqitur, të cilat u diskutuan dhe u panë me vëmendje, sepse çdo gjë duhet të bëhet konform rregullores së dispozitave të UEFA-s dhe të FIFA-s. Liga do të jetë një shoqatë e anëtarësuar në Federatë dhe të gjitha: statuti, akti i themelimit, janë dokumente që duhet të jenë konform të rregullores UEFA-s, sepse ne mund të duam të bëjmë gjëra ndryshe nga ç’janë dispozitat dhe nuk pranohen pastaj në instancat më të larta. U gjet një gjuhë e përbashkët për të pasur një organizim sa me eficient në të ardhmen.
Libohova ka qenë një propozim juaj?
Nuk ishte vetëm imi, ishte edhe i të tjerëve.
Klubet e kanë të vështirë ta drejtojnë vetë Ligën Profesioniste?
Libohova ka qenë i ngarkuar si nismëtar, në statutin e Ligës ishte parashikuar që të mos ketë persona nga klubet, për arsye se në situata apo në mjedisin ku ne jetojmë mund të krijonte një ngërç në raport me klubet e tjera dhe, duke qenë se është një person që e njeh futbollin, ishte propozimi më i natyrshëm për të filluar këtë punë.
A mund të dimë cilat kanë qenë amendamentet që keni propozuar?
Në përgjithësi kishin të bënin me garantimin e një Lige që do të funksiononte në mënyrë sa më të pavarur nga Federata, duke marrë parasysh ato kanale që e lidhin më Federatën. Eshtë komisioni i arbitrave, i cili sipas propozimeve që u bë do të ketë input nga Liga, pastaj në raport me Komisionin e Disiplinës dhe të Apelit, këto janë gjëra që do të sqarohen më mbrapa në marrëveshjen që Liga do të bëjë me Federatë.
Çfarë ndodh me listën e arbitrave, do propozohet nga Liga apo do të jetë propozim i Federatës?
Shoqata e arbitrave është e pavarur, arbitrat duhet të certifikohen, duhet të kalojnë të gjitha kategoritë që ju i dini shumë mirë. Ideja është që Liga të ketë inputin e vet, duke caktuar disenjatorin, që do të caktojë arbitrat për ndeshjet e Ligës.
Çfarë ndodh me të drejtën televizive, sepse me sa dimë, kontrata aktuale është 3 ose 4 vjeçare?
Një nga gjërat kryesore të organizimit të Ligës është ideja për të marrë të drejtën komerciale dhe e drejta televizive është një nga ato për arsye. Të mos jetë thjesht Superliga, por të jetë një sponsor gjeneral që do ndihmonte në arkën e çdo ekipi. E drejta televizive është e firmosur nga Federata do të transferohet, akoma nuk e di juridikisht se cilat mund të jenë kompetencat e Ligës për t’u diskutuar në kontratë./ Supersport
Top Channel