Një shpërthim i fuqishëm i një bombe është regjistruar në orën 2:35 të mëngjesit të kësaj të hëne, jashtë ndërtesës së kanalit televiziv grek “Skai”, në lagjen “Faliro” të Athinës. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme në katin e parë dhe të dytë, kryesisht janë thyer xhamat, por pa pasur viktima apo të lënduar.

Gati 45 minuta më herët, një person i panjohur ka telefonuar në mënyrë anonime te kanali televiziv “ANT1” dhe faqja e internetit “Zougla.gr” për të paralajmëruar për shpërthimin.

  Pa Koment – Bombë televizionit grek

Në vendngjarje mbërritën menjëherë repartet e Antiterrorit dhe ekipet xheniere, të cilat kanë boshatisur ndërtesën dhe zonën përreth.

Gjithashtu kanë qenë të pranishëm edhe ministrja e Mbrojtjes së Qytetarit, Olga Gjerovasili, e shoqëruar nga shefi i Përgjithshëm i Policisë greke, Aristidhia Andrikopoulos, e cila ka deklaruar se demokracinë duhet ta mbrojnë të gjithë së bashku.

Siç bën me dije policia, në bazë të regjistrimeve nga kamerat e sigurisë, bomba u vendos nga dy persona të panjohur në kangjellat e murit rrethues të kanalit, në një çantë të zezë, e më pas janë larguar me motoçikletë.

“Skai” është kanali televiziv më kritik ndaj qeverisë “Tsipras”, ndërsa shpeshherë konsiderohet si “zyra e shtypit të Demokracisë së Re” nga partia qeveritare “Syriza”, e cila ka dhënë urdhër te të gjithë deputetët dhe anëtarët e saj të bojkotojnë emisionet e tij dhe të mos shkojnë asnjëherë të ftuar te to.

Gjithashtu, pronari i tij, manjati Alafouzos është akuzuar në të kaluarën për tregti të paligjshme nafte. Grupi mediatik “Skai” ka në pronësi edhe dy stacione radiofonike, si dhe gazetën “Kathimerini”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA