Një protestë për infrastrukturën e rënduar të rrugës që lidh qytetin e Durrësit me Shijakun është zhvilluar sot në këtë aks nga banorët e zonave të Shijakut, Katër Rrugëve dhe Xhafzotajt.

Protestuesit në shenjë revolte, bllokuan për disa minuta aksin rrugor dhe iu vunë flakën kazanëve të mbeturinave që ndodheshin pranë vendit ku zhvilluan protestën. Ata kërkuan të merren masa urgjente për rikonstruksionin e kësaj rruge, që është kthyer në makthin e drejtuesve të automjeteve.

Sipas tyre, segmenti rrugor që lidh Durrësin me Shijakun është tejet i amortizuar dhe është bërë i pakalueshëm. Ky aks është vetëm 5 km i gjatë, por po shkon drejt degradimit, pasi prej shumë vitesh nuk është investuar aty.

Rruga Shijak-Durrës përshkohet në të dyja korsitë e saj nga banesa dhe biznese, duke u konsideruar ndër akset me përqendrimin më të madh të zhvillimit ekonomik. Gropa, kanale, devijime, pellgje me ujë shoqërojnë segmentin përgjatë gjithë gjatësisë së tij. Për ketë arsye banorët protestuan sot, duke i kujtuar kryeministrit Rama se nuk e mbajti premtimin që dha pak muaj më parë që konsistonte në përmirësimin e infrastrukturës në këtë aks rrugor.

Nga “Kodra e Rrashbullit” e deri në afërsi të “Katër Rrugëve”, aksi është totalisht i amortizuar dhe i pakalueshëm. Përveçse emërtimit, asgjë tjetër nuk ngjan më një rrugë nacionale. Ky segment 5-kilometër i gjatë, por mjaft i rëndësishëm është lënë në harresë të plotë. Që prej ndërtimit të autostradës Tiranë-Durrës, rruga Durrës-Shijak duket se është anashkaluar nga autoritetet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA