Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike do të zgjedhë këtë të shtunë Këshillin Kombëtar të forcës më të madhe politike në opozitë.

Ashtu siç u raportua edhe një ditë më parë, kreu Lulzim Basha mblodhi të premten Kryesinë, që shpalli edhe listën me 350 kandidatë për ekipin e ri drejtues të Partisë Demokratike.

  Kuvendi Kombëtar i PD; Bregu, Patozi, Ruli dhe Bode mbeten jashtë Këshillit Kombëtar

Këshilli i PD-së ka një pjesë të anëtarëve të garantuar automatikisht për shkak të funksioneve brenda partisë, ndërsa pjesë e listës së kandidatëve janë bërë edhe një pjesë e ish-deputetëve, me përjashtim të zërave më të fortë kundër Lulzim Bashës, si Majlinda Bregu, Astrit Patozi, Ridvan Bode dhe Genc Ruli. E vetmja ndër kritikët e Bashës, Jozefina Topalli, për shkak të funksionit si ish-kryetare e Kuvendit nuk mund të përjashtohej nga lista.

Por nga mbledhja e Kryesisë, pjesë e së cilës është falë funksionit si drejtues i Fondacionit për Liri dhe Demokraci, u largua Arben Imami, pasi sipas tij ajo ishte thirrur në shkelje të Statutit. Në këtë mënyrë u paralajmërua mungesa e tij edhe në punimet e ditës së sotme të Kuvendit Kombëtar.

Mes të munguarve janë edhe emrat e Gazmend Oketës dhe Aleksander Biberajt, dy emra që u larguan nga PD-ja për të themeluar FRPD-në me Bamir Topin.

Top Channel