Pas Erla Mëhillit dhe Edvin Kullurit, ishte Valbona Mezini, ajo që njoftoi tërheqjen nga gara për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Ashtu si dhe kolegët e saj që njoftuan prej mëngjesit herët tërheqjen përmes rrjeteve sociale, edhe Mezini pretendon se emri i saj kishte dalë në një listë “false” që shkonte – sipas saj, – për votim në Kuvendin ILEGJITIM të entitetit privat, që paturpësisht u zhvesh nga vlerat për të cilat u ndërtua në momentin e rrëzimit të diktaturës.

  Rrudhet lista e kandidatëve të PD për Këshillin Kombëtar

“Të dashur demokratë! Së pari dua t’iu falënderoj për mbështetjen tuaj të madhe që me keni dhënë dhe vijoni të më jepni me mesazhet dhe urimet, kur patë emrin tim në listën false që sot shkon medemek për votim në Kuvendin ILEGJITIM të entitetit privat, që paturpësisht u zhvesh nga vlerat për të cilat u ndërtua në momentin e rrëzimit të diktaturës”, shkruan ajo në Facebook.

Duke u shprehur se po përpiqet t’i shërbejë të vërtetës dhe vetëm të vërtetës, Valbona Mezini shton se “Shqipëria do të ndërtohet dhe jo shpopullohet nga pazaret politike, pjesë e të cilave po bëhet entiteti ku unë aderoj”.

Ndaj, ajo preferon të distancohet, duke u tërhequr nga lista që e quan “me fitues të vendosur paraprakisht”.

“I bashkohem studentëve në protestë, sikurse kam bërë që ditën e parë, duke besuar se ata janë opozita e vërtetë në ndërtimin e demokracisë dhe mbrojtjen e interesit shqiptar!”.

Por, ende pa përfunduar procesi i votimit, lista e të tërhequrve nga gara është shtuar edhe me Edit Harxhin, Fabjan Topollain, Gent Minarollin dhe Igli Carën, duke shkuar kështu në 7 të tërhequr.

Top Channel