Në fjalën e tij hapëse, kryetari i PD-së Lulzim Basha ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në punimet e Kuvendit Kombëtar.

Ai iu drejtua të rinjve që u janë bashkuar në këto ditë të vështira për vendin, kur siç tha “krimi qeveris vendin” dhe “arroganca mbizotëron” duke lënë në hije vlerat dhe parimet demokratike, të cilët i falënderoi në veçanti për përpjekjet e tyre ndër vite për mbrojtjen e demokracisë në vend.

Basha falënderoi studentët dhe qytetarët që protestojnë kudo për çdo ankesë dhe padrejtësi, sikurse edhe shprehu “respekt për mediet që raportojnë përditë nga çdo zhvillim”.

“Me kryengritjen e saj, rinia studentore ka ndërgjegjësoi për problemet më të mëdha me të cilat ndeshet shoqëria jonë. Koha ka ardhur për të thirrur në veprim rininë, e cila duket se do të jetë në lartësinë e duhur që kërkon koha. Ne jemi për një politikë ndryshe. Prej gati një shekulli, politika ka qenë pengesë për jetën shqiptare, më shumë ndarje sesa bashkim, ndërkohë që sot kemi nevojë për një politikë perëndimore që u shërben njerëzve dhe popullit, e jo për fjalë në erë. Kjo nuk është e lehtë, por as e pamundur”, tha Basha.

Basha theksoi se duhet një brez i ri politik dhe një elitë e re, e aftë për t’u sjellë ndryshimin shqiptarëve. “Fitorja për çdo shqiptar do të jetë ndalja e së keqes që ka pllakosur vendin”, tha ai.

Kryetari i PD-së tha më tej se hapja e rrugës për këtë ndryshim të madh mund të arrihet vetëm përmes krijimit të një sistemi të ri të hapur, të lirë dhe demokratik. “Ndaj sot iu ftoj me të vetmin mision për të shpëtuar vendin: për liri, demokraci dhe europianizëm”.

Nga thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, – u shpreh Basha, – kanë kaluar vite, janë ndërruar breza, por koha dhe ndryshimet që ajo sjell, bëjnë që Shqipëria e sotme të mos krahasohet me atë të para 30 viteve, edhe pse jemi ende larg potencialit tonë kombëtar.

“Vitet e fundit vendi është zhytur në një diktaturë, po lëngon në rrënim ekonomik, është izoluar nga vlerat e dijes, shkencës dhe parimeve demokratike. Korrupsioni nuk ka lindur sot, është e vërtetë, sikurse ka pasur ndikime në politikë edhe më herët. Por me qeverisjen aktuale, korrupsioni është ngritur në sistem. Projekti i ‘Rilindjes’ është pikërisht ai i kapjes së pushtetit nga njerëz oligarkë të politikës, biznesit, medies dhe krimit, duke kontrolluar të gjitha pushtetet e vendit. Përpjekja e tyre është që të çimentohet ky kontroll ndaj pushteteve edhe për dekadat e ardhshme të vendit”, tha Basha.

Top Channel