Komisioni i Venecias miratoi raportin final në lidhje me propozimin e opozitës për vetting të politikanëve, duke e rrëzuar atë përfundimisht. Opinionit paraprak, të bërë publik disa ditë më parë, iu shtua nga relatori një amendim, ku theksohet se në kushte të veçanta, shtetet kanë të drejtë të kufizojnë të drejtën për t’u zgjedhur.

E gjithë pjesa tjetër e opinionit të “Venecias”, përfshi thelbin dhe konkluzionet, mbetet e pandryshuar. Si në opinionin paraprak, ashtu dhe në atë final, Komisioni i Venecias i njeh Partisë Demokratike se qëllimi për pastrimin e politikës nga krimi është legjitim. Por, në të dyja versionet, ekspertët e Venecias nuk bien dakord me mekanizmin e propozuar nga PD: propozimin kushtetues.

Vërejtjet kryesore përse “Venecia” rrëzon propozimin e PD-së mbeten.

“Mungon qartësia ligjore dhe siguria ligjore. Në shumë aspekte shihet problematike çështja e proporcionalitetit. Sipas ‘Venecias’, projekti ka dështuar në përkufizimin e elementëve kyç, si çfarë nënkuptohet me kontakt të papërshtatshëm, apo përfshirje në qarqe që kanë lidhje me këta persona. Është e paqartë se çfarë parashikimesh ka procedura për të kryer vettingun. Nuk është e qartë – thotë Venecia – kush do ta zbatojë vettingun e zyrtarëve publikë, ndërkohë që mungon siguria ligjore. Duke pasur parasysh mekanizmat ligjore në fuqi dhe ata kushtetues, përfshi ligjin e Dekriminalizimit, vlera e shtuar e projektit të propozuar nga PD vihet në pikëpyetje”, thotë Venecia.

Shtuar kësaj, ekspertët pohojnë se nuk ka garanci të propozuara që shmangin riskun e përdorimit në mënyrë politike, të njëanshme ose arbitrare të kësaj nisme. Këtë shqetësim, “Venecia” e ka shprehur që në titullin e njoftimit publik, ku thekson se propozimi i PD-së rrezikon të çojë në abuzim me pushtetin.

Komisioni i Venecias i bën thirrje politikës së Tiranës ta zgjidhë çështjen me dialog politik në Parlament, por reagimet e para shkuan në drejtim të kundërt. Edi Rama iu drejtua Lulzim Bashës.

“Eh Artist, s’më vjen mirë për ty, po ti s’ve mend! Vate e u mbyt në ujin e Venecias edhe Gjojavetingu yt, një nga ato manovrat e tua në xunkth që e kanë bërë PD aq shumë joserioze në sytë e njerëzve, sa jeni hedhur në ilegalitet për të penguar Dialogun mes studentëve e qeverisë”, shkruan Rama në Tëitter.

Pak minuta më pas erdhi replika e kryedemokratit Basha.

“Hajduti psiqik ka 9 ditë që nuk kupton as shqipen, pale pastaj anglishten! Mirënjohje Komisionit të Venecias që hapi dritën jeshile për vetingun e politikanëve. Asgjë nuk e shpëton hajdutin psiqik nga lidhjet me krimin! Koha kur politikanët janë mbi ligjin po mbaron!”, shkruan Basha.

Top Channel