Tirana dhe Bolonja, bashkëpunim për transportin publik

14/12/2018 14:43

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një vizitë pune në Bolonja, ku u prit në një takim nga homologu i tij, Virginio Merola.

Gjatë takimit të përbashkët,  diskutuan mbi mundësinë e bashkëpunimit dhe të rritjes së shkëmbimit të eksperiencave në fushën e transportit publik, si dhe atë të projekteve të rigjenerimit urban dhe mjedisit.

Një vëmendje të veçantë u vendos edhe tek projektet e Bashkisë së Tiranës për menaxhimin me efikasitet të Terminaleve të Autobusëve Ndërqytetas, çka sjell lehtësi për udhëtarët, por edhe për drejtuesit e këtyre mjeteve.

Një pikë e rëndësishme e diskutimit mes dy homologëve ishte edhe rritja e bashkëpunimit në fushën e agrobiznesit, ku Bolonja është lider në botë falë eksperiencës së saj të krijuar ndër vite në këtë fushë.

Veliaj dhe Merola shprehën vullnetin për çuar më tej projektet e përbashkëta në fushën e agroturizmit, për të realizuar ambicien e Bashkisë së Tiranës për fuqizimin e sektorit të agroturizmit dhe zhvillimin e zonave rurale.

Kreu i Bashkisë së Tiranës dhe kreu i Bashkisë së Bolonjës, Virginio Merola diskutuan mbi shkëmbimin e ideve dhe të eksperiencave mbi çështjet e strehimit social, decentralizimit të shërbimeve, si dhe të mbështetjes për stacionet e zjarrfikësve të Tiranës.

Top Channel