Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kërkon që në rrugët e vendit të mos ketë më postblloqe të Policisë Rrugore si dhe të shmanget vendosja e efektivëve në kryqëzime të cilët dublojnë semaforët.

Kërkesa për ndryshim radikal të kontrollit të qarkullimit rrugor i është përcjellë përmes një shkrese drejtorit të përgjithshëm, Ardi Veliu. Sipas Lleshajt, prania e policisë në numër të tepruar dhe statike, u jep rrugëve një pamje jo normale, të ndryshme nga ato të vendeve europiane dhe krijon përshtypjen e gabuar të një policie shumë të madhe, ndërsa raportet e numrit të policëve për frymë në vendin tonë janë më të ultat në rajon.

Ministri kërkon që policia të shtojë patrullimet në vend të postblloqeve me mjete policie të shenjuara, mjete civile si dhe punonjës me ose pa uniformë.

Edhe polici në kryqëzim duke dubluar semaforin, sipas ministrit, ndikon në edukim të gabuar të përdoruesve të rrugës.

Ndër masat e tjera që do të nisin zbatimin shpejt është edhe projekti për dërgimin e gjobave nëpërmjet postës, në adresë të shoferëve shkelës.

Top Channel