Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka pritur paraditen e kësaj të premteje zv.Sekretaren e NATO-s, Rose Gottemoeller, takim pas të cilit kanë dalë edhe në konferencë të shkurtër për mediet.
Vizita e saj vjen vetëm pak ditë pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të aleancës në Bruksel.
Kryediplomati shqiptar ka theksuar në fjalën e tij bashkëpunimin e fortë që ka Shqipëria, si vend aleat, me përfaqësuesit më të lartë të NATO-s.
“Sot kemi diskutuar në radhë të parë për angazhimet e Shqipërisë në këtë aleancë, për projeksionin pozitiv që ka Shqipëria për shpenzimet në fushën e mbrojtjes, bazuar mbi angazhimet e samitit të Uellsit dhe hartën e rrugës që u ra dakord në samitin e qershorit. Shqipëria ka rritur shpenzimet në buxhetin për mbrojtjen, sikurse do të vazhdojë të japë kontributin e saj në misionet dhe operacionet e NATO-s”, tha Bushati.
Ai deklaroi gjithashtu se janë këmbyer pikëpamje rreth situatës së sigurisë në rajon.
“Mirëpresim bashkëpunimin me Sekretarin dhe zëvendësen e tij, edhe për çështje të konsideruara të një natyre më sensitive, duke marrë në shqyrtim të gjitha sfidat me të cilat përballet rajoni ynë”, deklaroi kryediplomati shqiptar, i cili në fund vlerësoi rolin e KFOR-it në Kosovë, si spirancë stabiliteti për Kosovën dhe më gjerë.
“Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar më tej, në mënyrë që rrezja e stabilitetit të NATO-s në rajonin tonë dhe më gjerë të jetë e pacënueshme”, mbylli fjalën e tij Bushati.
Zv.Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s përmendi kërcënimet kryesore të sigurisë në rajon dhe më gjerë, si ndërhyrjet agresive të Rusisë, apo ajo më e fundit shkelja e traktatit të raketave ndërkontinentale, por edhe lufta për influencë në Ballkanin Perëndimor.
Top Channel