Rrëzimi i pikës 4 në VKM-në mbi arsimin e lartë, që i tarifonte për provimet e bartura, duket se nuk është vetëm një nga fitoret që kanë arritur studentët me protestën e tyre, e cila vijoi deri një ditë më parë e ndarë në dy fronte, para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë.
Studentët kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave të tyre, ku përfshihen ulja e tarifës së studimit, përmirësimi i kushteve në konvikte, etj., por në Fakultetin e Arkitekturës është shënuar një tjetër fitore.
Studentët janë entuziazmuar pasi në mbrëmje iu është komunikuar dorëheqja e pedagogut të Universitetit Politeknik, Thanas Nushi.
Emri dhe fotoja e këtij pedagogu janë nxjerrë nga studentët në pankartat e tyre para MASR-së dhe ai cilësohej si “Kumbari” (Il padrino), ndërsa akuzohej gjithashtu se kërkonte favore seksuale nga vajzat në këmbim të notës.
Në pankartën ikonë kundër pedagogut Thanas Nushi, duke nxjerrë në pah një nga anët e errëta të tij, shkruhej: Ti vajzë do ta marrësh provimin kur ta shohësh tavanin me mua!
Thanas Nushi mësohet se ka dhënë dorëheqjen pas mbledhjeve pedagogë-studentë, që janë zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës në Fakultetin e Arkitekturës dhe atë të Ekonomikut.
Top Channel