Grumbullimi i mijërave prej tyre e detyroi të kërkonte falje për termin “ngelës”, të tërhiqet VKM-në për tarifat e provimeve të mbetura, e mbi të gjitha të pranonte sot në Kuvend, se protesta ishte shuplakë e fortë për qeverinë e tij, dhe për më tepër është gati të dialogojë për 8 kërkesat e tyre.
Po flasim për “duelin” mes Edi Ramës dhe Studentëve që vijon në distancë, tashmë jo të largët, pasi sot me mijëra prej tyre rrethuan Parlamentin, ku kryeministri i ftoi të hynin për dialog, por u refuzua pasi kërkesat i cilësojnë të panegociueshme dhe Kuvendin, shtëpinë e 140 politikanëve që i kanë dëmtuar të gjithë njësoj.
E teksa revolta studentore nuk shfaq premisa për t’u ndalur, Rama pasi u largua nga Kuvendi nga dera e pasme i shoqëruar me eskortë, ka përdorur sërish Twitterin për t’i dërguar mesazhin e radhës mijëra studentëve që janë në sheshin para Parlamentit e qindra të tjerëve që kanë bojkotuar mësimin në rrethe.
Në postimin e tij Kryeministri rithekson se ai është me studentët dhe i gatshëm të flasë me ta për 8 pikat, por refuzimin e tyre në kor për dialogun që ai ofron e cilëson dobësi dhe mungesë dëshire për të kuptuar.
“Miq! Kori i protestës kur s’të dëgjojnë është domosdoshmëri. Refuzimi në kor i Dialogut është dobësi. Ju duhet ta dini që UNE JAM ME JU. Jam gati për të 8 PIKAT. Duhet të diskutojmë si e kur do të realizohen. Nëse ju s’doni ta kuptoni këtë, vazhdoni mbajini peng të 8 PIKAT. Unë ju pres”, shkruan Rama.
Top Channel