Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit i Bashkisë së Tiranës ka prishur një tjetër godinë 3-katëshe të ndërtuar pa leje në gjurmën e Unazës së Madhe te Astiri, duke i hapur rrugë projektit.
Operacioni për prishjen e kësaj godine ka nisur që në orët e para të ditës së enjte dhe mjetet e rënda të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit kanë bërë shembjen e saj në mënyrë që të mos ishte pengesë për vijimin e qarkullimit të automjeteve në këtë segment rrugor.
Ndërkohë, ka vijuar puna edhe me prishjen e objekteve të tjera që ngriheshin në gjurmën e Unazës së Madhe, duke krijuar kështu mundësi për hapjen e kantierit të ndërtimit të rrugës.
Po ashtu, ndërmarrjet e bashkisë janë kujdesur që pas procesit të prishjes së ndërtimeve pa leje të bëjnë edhe zhvendosjen e mbetjeve inerte.
Top Channel