Procedimi penal i nisur ndaj 23 studentëve së bashku me pedagogun Edmond Tupe dhe artistin Robert Aliaj bëri jehonë në media të mërkurën, por ky lajm u përgënjeshtrua nga foltorja e Parlamentit nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
“Dje nuk ka patur kurrfarë procedimi penal ndaj asnjë pedagogu dhe ndaj asnjë studenti pjesëmarrës në protesta. Është lehtësisht e provueshme kjo, nëqoftëse dikush do kishte marrë mundimin të interesohej pranë organeve të Prokurorisë apo përmes avokatëve përkatës. Pra, edhe një herë e përsëris, më shumë për opinion publik: nuk ka pasur asnjë lloj procedimi penal”, deklaroi Lleshaj.
Por, të mërkurën, Policia e Shtetit shpërndau një njoftim për mediat ku theksohej se “në zbatim të procedurave standarde dhe detyrimeve ligjore, ka filluar procedime në bazë të ligjit për raste të shkëputura personash, të cilët e kanë cenuar qartazi atë, kryesisht në formën e bllokimit të akseve rrugore të vendit, goditjes me sende të forta, apo djegies së materialeve të dëmshme për shëndetin e qytetarëve në mjedise të rëndësishme publike”.
Edhe në bazë të komunikatës së brendshmë të Policisë së Tiranës të datës 11 dhjetor, konfirmohet që janë kryer të gjitha procedurat për të kallzuar në prokurori 25 persona të cilët janë identifikuar si organizatorë dhe pjesëmarrës në bllokimin e akseve rrugore. Në këtë material madje specifikohet se janë identifikuar edhe aktivistë të formacioneve politike dhe aktivistë të shoqërisë civile, por, mesa duket, uniformat blu janë tërhequr në fund duke mos depozituar kallzimet në prokurori.
Top Channel