Qeveria italiane ka pranuar të ulë deficitin në projekt-buxhetin për vitin e ardhshëm, tha të mërkurën kryeministri Giuseppe Conte, ndërsa Komisioni Evropian deklaroi se është bërë përparim i mirë drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes mbi buxhetin e vendit.

Conte fluturoi në Bruksel për të provuar të shmangë masat disiplinore mbi buxhetin e ekspansioniv të qeverisë së tij, i cili synonte fillimisht një defiçit prej 2.4 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto, një nivel që Komisioni Europian e hodhi poshtë si tepër të lartë.

Nën presionin nga tregjet financiare, Conte propozoi uljen e objektivit të deficitit në 2.04 përqind të PBB-së.

“Në vlerësimin e tij të parë, Komisioni gjykoi propozimin si të rëndësishëm”, u tha gazetarëve Conte, pas takimit me Presidentin e Komisionit Jean-Claude Juncker, duke shtuar se ai priste një përgjigje “pozitive” nga Brukseli.

“Është bërë përparim i mirë,” tha një zëdhënëse për Komisionin pas takimit.

“Komisioni Evropian tani do të vlerësojë propozimet e pranuara këtë pasdite dhe puna do të vazhdojë në ditët në vijim”, shtoi ajo, duke mos pranuar të komentojë nëse procedura disiplinore tani mund të shmanget.

Ministri i Financave Giovanni Tria do të vazhdojë bisedimet me Komisionin të enjten në Bruksel, tha zëdhënësi i tij.

Top Channel