Gazetari dhe analisti Ilir Babaramo, ishte gjithashtu i ftuar në studion e “Open” me Eni Vasilin dhe komentoi protestën e studentëve, që është sot në ditën e 10 të saj.
Ai theksoi se studentët janë në të drejtën e tyre për të mos pranuar dialogun me qeverinë, ndërsa shpjegoi edhe arsyet pse Rama këmbëngul për t’u ulur në tryezë me ta.
“Studentët janë në të drejtën e tyre për të mos u ulur në tryezë, pasi kemi shembujt e protestave të tjera si te liqeni, etj., ku protestuesit janë futur me idetë e tyre në bisedime dhe kanë dalë me idetë e qeverisë. Për mendimin tim, edhe Rama për këtë arsye e kërkon me ngulm dialogun me studentët”, deklaroi Babaramo.
Më pas, analisti Babaramo drejtoi gishtin nga kryeministri Rama dhe ish kryeministri Berisha, si shkaktarë të kësaj situate të rrëmujshme, të krijuar me universitetet publike.
“Duhet të kthehemi pas dhe të nxjerrim përgjegjësitë e kësaj situate të rëndë. Unë mendoj se pikërisht Berisha dhe Rama, janë shkaktarët e vetëm të kësaj situate. I pari sepse bëri hapjen në masë të universiteteve, duke e bërë Shqipërinë me më shumë universitete sesa disa shtete të SHBA-ve, dhe i dyti me reformën që rezultoi favorizuese për privatët dhe rriti kaosin në sistem”, deklaroi Babaramo.
Top Channel