Linja Tiranë-Toronto hap debat në Greqi, mediat fqinje: Aeroporti i Tiranës na e ka kaluar, Selaniku ka mbetur mbrapa
Senati Akademik i Universiteti i Tiranës, në një deklaratë për mediat ka bërë publik qëndrimin e tij në lidhje me debatin për arsimin e lartë, dhe për protestën e studentëve.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Senatit, këtë të mërkurë thuhet se nuk i kanë paraqitur Këshillit të Ministrave asnjë kërkesë për vendosjen e kësaj tarife.
Në deklaratën me 5 pika, Senati Akademik thotë se Universiteti i Tiranës mbështet kërkesën e studentëve për përgjysmim të tarifave të shkollimit.
Një ditë më parë, i ftuar në emisionin “Top Show” të Alban Dudushit, kryeministri Edi Rama foli për tarifat e studentëve dhe premtoi se do të bëjë një transformim rrënjësor sa i takon atyre.
Mes të tjerash ai shpjegoi se tarifat e vendosura janë bërë nga rektorët e universiteteve dhe jo nga qeveria.
“Tarifat për studentët janë një pjesë e kostos së çdo studenti. Qeveria financon 75% të kostos së çdo studenti, mesatarisht. Te pika e tarifave ata kanë shumë të drejtë, VKM-ja ka dalë në maj, si rezultat i kërkesës unanime të universiteteve, – vijoi Rama. – Lindita Nikolla mund të ketë shumë të meta, por ka një virtyt që gjithçka ka sjellë në qeveri për miratim, e ka këshilluar me rektorët. Te tarifat, jam gati të bëjë një transformim drastik, pika e tarifave që e kanë vendosur rektorët, jam gati ti bëjë një shndërrim rrënjësor, se kjo ishte edhe zanafilla që u ngrit dhe protesta”.
Rama shpjegoi se është gati të bëjë më shumë se kaq, por ”unë nuk dua që kjo gjë të mbarojë me kaq, që do të thotë se aty ka disa pika që unë mund të them se s’kam lidhje me to”.
Tavani i vendosur nga qeveria shtoi Rama, “u bë, sepse të gjitha tarifat e universiteteve ishin më të larta, ndaj qeveria vendosi që këtu duhet një tavan që qeveria të paguajë për ju kostot më të mëdha”.
Pyetjes së një studenteje se kjo nuk është hera e parë që protestohet, Rama iu përgjigj: “Arsim falas për të gjithë në Shqipërinë nuk ka. Ulja e tarifave është sakrificë e të tjerëve, e dini sa taksohet puna në Shqipëri, sa taksa paguajnë njerëzit që punojnë? – pyeti Rama. – 5.5%, ndërsa në Gjermani 40%. Në Shqipëri rrogat janë të ulëta, taksat janë shumë të ulëta, nga dalin të gjitha paratë për të bërë gjëra siç duam. Unë jam dakord që të bëhet një gjë e diskutuar për këto pika”.
Top Channel