Pas aksionit kryesor në vitin 2014, Lazarati do të mbahej nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të forcave të rendit. Por incidentet nuk do të mungonin. Një vit më pas, në 24 qershor 2015, vritet efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha.

Ngjarja ishte sa shokuese, por edhe e pritshme. Përsa kohë nuk po arrestohej asnjë bandit, incidentet të tilla mund të ndodhnin.

Top Story rindërtoj edhe një herë skemën e vrasjes, sipas variantit zyrtar të policisë dhe sipas dëshmive që janë dhënë nga dëshmitarët në gjyq.

Gjatë natës duke u gdhirë data 24 qershor, kishte pasur të shtëna armësh në Lazarat. Të shtënat u dëgjuan fillimisht në orën 02:30, dhe më pas në orën 04:44. Patrullat e policisë në fshat kërkuan përforcime. Menjëherë vijnë grupet e gatshme nga Gjirokastra ndërkohë drejt Lazaratit niset edhe një grup i forcave RENEA.

Një autokolonë me makina të blinduara mësyjnë në qendër të fshatit. Në mes të kësaj eskorte, lëvizte edhe një furgon policie, ku brenda saj ishte efektivi Ibrahim Basha.

Gjatë krehjes së zonës, autoblindat e policisë u përballën me një automjet tip Benz Mercedez, i tejmbushur me lëndë narkotike si dhe me një arsenal armësh të modeleve të ndryshme.

Menjeherë policia arreston adoleshentin që drejtonte automjetin, Xhulio Malo. I arrestuari nuk do të hipte në asnjë prej blindave, por në furgonin e policisë. Gjatë këtij momenti janë dëgjuar të shtëna armësh nga një distancë e largët.

Megjithë breshëri armësh, vetëm një plumb ka goditur eskortën e Policisë së Shtetit. Pikërisht ky plumb ka shënjestruar furgonin e policisë, ka goditur në kokë efektivin Ibrahim Basha dhe njëkohësisht ciflat e plumbit kanë plagosur 2 efektivë të tjerë.

Ishte e pabesueshme. Ironi e fatit që një plumb të godiste makinën që nuk ishte e blinduar, dhe të bënte një masakër.

Kjo ngjarje, ende sot, mbas 4 vitesh, mbart shumë mistere të pazgjidhura. Humbja e jetës së një efektivi të forcave RENEA ishte e rëndë. Ngjarja tronditi opinionin publik, dhe për pasojë asnjë nuk analizoi faktin nëse policia në këtë aksion kishte reaguar në mënyrë aspak profesionale.

“Policia e shtetit ka vepruar në kundërshtim me disa rregulla standarde të saj, duke përdorur një automjet I cili ishte jashtë standardit, së pari për të ruajtur jetën e policisë së shteti dhe më pas për të reaguar ndaj personave që po përdornin armë zjarri në fshatin e Lazaratit, sepse të tillë e kishin forcat special Renea. Ndërhyrja duhet të ishte bërë, duhet të ishte bërë kufizimi i largët dhe pas kufizimit, pas vendosjes së pikave strategjike të vinte lokalizimi, ngushtimi duke ruajtur elementët e sigurisë hap pas hapi dhe me kufizim më të afërt dhe me lokalizim të personave që mund të reagonin ndaj personave kundër policisë”, -tha Arjan Hoxha, ish-oficer i policisë.

Me anë të një deklarate për shtyp, policia listoi disa të dyshuar për këtë vrasje, mes tyre edhe Edmond Bocin. Por, ky shtetas ishte në burg, i arrestuar një vit më parë gjatë aksionit të 2014-ës për kultivim të lëndëve narkotike.

Edhe sot, po të bëjmë një provë, dhe të futemi në faqen zyrtare të policisë së shtetit, e gjejmë akoma të publikuar atë deklaratë. Emri i Edmond Bocit është po aty….

Top Channel