Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ka rihapur tenderin për ndërtimin e linjës 220 kilovolt Burrel-Peshkopi.

Kontrata e parë u anulua nga pala shqiptare pas publikimit në media dhe konfirmimit më pas nga autoritetet amerikane se kompania fituese Dunwell Haberman Albania ka falsifikuar bilancet me të cilat është paraqitur në tenderat ku ka marrë pjesë dhe ka dalë fituese, pikërisht ndërtimi i linjës së transmetimit Burrel-Peshkopi dhe ndërtimi i mbikalimit tek sheshi “Shqiponja”, përkatësisht me vlerë 12 dhe 18 milionë euro.

Edhe kësaj radhe, vlera e tenderit të ri, së bashku me TVSH-në, shkon në rreth 12 milionë euro, ndërkohë që deri në 10 janar, OST-ja pret ofertat.

Në garën e parë, Dunwell Haberman Albania rezultoi fituese në një garë fiktive ku kompania tjetër që merrte pjesë Argus nuk kishte paraqitur ofertë financiare, duke u skualifikuar automatikisht. Për të dy tenderat është hapur një dosje penale nga prokuroria, ndërkohë që dhe në Shtetet e Bashkuara po hetohet për të hedhur dritë mbi skemën guaskë të kompanisë offshore.

Edhe prokurimi është bërë nga institucione të ndryshme shtetërore, të dyja skemat me teëcilat Dunwell Haberman Albania fitonte garën ishin të njëjta. Në tender merrnin pjesë dy kompani, njëra prej të cilave pa ofertë financiare, duke e bërë të sigurtë fitoren e DH Albania, madje dhe me vlerën maksimale të lejuar.

Top Channel