Reali i Madridit, kampion në fuqi i Europës, është klubi më i përfaqësuar në kandidaturat që UEFA prezantoi këtë javë, e nga ku do të dalë edhe formacioni ideal i vitit 2018.
Skuadra “galaktike” që triumfoi në Champions për të tretin vit radhazi, është fanella më e përfaqësuar me plot 9 futbollistë, pa llogaritur këtu edhe Cristiano Ronaldon që ka kontribuar për ekipin “merengues” për gjysmë sezoni, para se të transferohej te Juventusi.
Barcelona është ekipi i dytë më i përfaqësuar mes 50 kandidaturave të UEFA-s. Për lojtarët që do të prodhojnë në mënyrë virtuale formacionin më të mirë, do të votohet deri më 11 janar. Këtij “megasondazhi”, qeveria e futbollit kontinental i ka bashkëngjitur edhe një nismë humanitare me donacione për Kryqin e Kuq, në fushatat për të prekurit nga luftërat.
Bie në sy se Chiellini është i vetmi futbollist që përfaqëson Italinë, ndërsa “Serie A” ka në total 7 lojtarë. Spikat gjithashtu përfshirja e Paul Pogba si futbollisti i vetëm i Manchester United në më të mirët e UEFA-s, që do të nxjerrin edhe formacionin e vitit.
Top Channel