Kreu i qeverisë përmes rrjetit social Facebook ka nisur një dialog për Universitetin, duke nisur nga ora 11:00.

Në komunikimin “live” në Facebook, në lidhje me çështjen e studentëve, kryeministri Edi Rama deklaroi se duhet të ketë dialog. Rama theksoi se mes tyre nuk ka asnjë konflikt dhe rruga për gjetjen e zgjidhjes është dialogu.

Rama nënvizoi se studentët që janë në shesh, të dalin për veten e tyre, jo për Lulin dhe Monikën dhe se kush është aty për veten e tij, nuk ka nevojë as të zgjedhë forume, as përfaqësira dhe as të marrë përsipër të negociojë gjë, por duhet të bisedoj.

“Dialogu është i domosdoshëm, sepse ai është rruga. Së pari, qeveria nuk kërkon negociata, qeveria kërkon dialog. Studentëve u them se ka një dallim. Negociohet mes palëve në konflikt, ne nuk kemi asnjë konflikt, – tha Rama. – Nuk kemi çfarë negociojmë, por kemi domosdoshmërinë të bisedojmë, sepse fjalë vjen plotëso kërkesat tona, por cilat janë ato? Unë kam 7-8 lista me kërkesa të ardhura në rrugë të ndryshme të protestës. Së dyti, protestat organizohen për të dëgjuar dhe qeveritë i dëgjojnë ose jo, Në momentin që qeveria u thotë hajde flasim, protestuesit thonë nuk duam”, deklaroi Rama.

Rama tha se refuzimin e dialogut e ka ndeshur vetëm nga opozita dhe kryetari i PD, Lulzim Basha i cili hyri në çadër dy vite më parë, ndërsa sot kërkon Vetting në politikë.

“Këtë refuzim e kam parë vetëm më opozitën në kohën kur u fut në çadër. Hajde të ulemi, hajde të bisedojmë, hajde të diskutojmë, – shtoi Rama. – Hajdeni të ulemi, bisedojmë, diskutojmë, jo plotëso kërkesat! Se si shkuan punët, s’ka nevojë të diskutojmë se e dini. Problemi ynë është se nuk na dëgjonte kurrë. Jemi vrarë në protesta se qeveria nuk ishte në gjendje të na dëgjonin”.

Ai iu drejtoi një pyetje studentëve “Është politike apo jo? Apo është orkestruar në mënyrë të tillë, që disa kanë vendosur edhe maska dhe thonë larg politikës. Nëse protesta është e atyre që dolën në momentin e parë për një arsye të drejtë se një dekan i papërgjegjshëm nxori njoftim se nuk do e paguajnë me këste tarifën po të gjithën, atëherë ku qëndron problemi i tyre. Dialogu është procesi ku palët dëgjojnë dhe dëgjohen”.

Rama iu kërkoi të mos e ndërpresin protestën, por se kërkesat e tyre duhet të dëgjohen.

Kryeministri tha se ka problem me tarifat, por se duhet diskutuar në themel dhe se kush tenton ta nxisë këtë protestë në rrugë të tjera, është i lirë ta provojë, por shtoi se askush nuk duhet të mendoj se qëllimet e përbashkëta mund të arrihen me ultimatume.

Në këtë drejtim, kreu i qeverisë tha se eksperienca demokratike nuk i njeh ultimatumet.

Top Channel